Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka thënë se janë duke vazhduar sulmet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj medieve dhe gazetarëve në Kosovë.
Sipas një reagimi ndaj deklaratës të zyrtares së Vetëvendosjes, Dejona Mihali, e cila ka kërkuar hetime ndaj medieve të Kosovës për pretendimet e gazetës boshnjake, që sipas saj, “është një gazetë investigative, dhe nuk është një gazetë regjimesh”.
AGK-ja ka theksuar se Mihali me këtë deklarim ka vazhduar sulmet e partisë qeverisëse kundër gazetarëve, medieve dhe AGK-së.
Mihali gjithashtu i ka bërë thirrje AGK-së të kërkojë hetime, duke shkruar se “Asociacioni i gazetarëve do të ishte më mirë të tregonte profesionalizëm dhe të sugjeronte hetime për rastin që kolegët gazetarë boshnjakë kanë publikuar. Pra, nëse vërtetë Vuçiq dhe rrjeti i tij kriminal ka dorë brenda në Kosovë”.
Sipas AGK-së, qëndrimi i fundit i saj vjen në serinë e sulmeve të koordinuara të pushtetit të Vetëvendosjes kundër medieve dhe gazetarëve në Kosovë.
Siç thuhet nga ana e tyre, thirrja për hetime ndaj një shkrimi pa autor, që nuk ofron asnjë fakt e dëshmi për pretendimet e veta, është e papranueshme dhe ka për qëllim intimidimin e gazetarëve në Kosovë.
Po ashtu, AGK-ja ka dënuar edhe deklarimin e deputetit të VV-së Adnan Rrustemi, duke e konsideruar si të papranueshëm dhe që ka për synim intimidimin e medieve dhe gazetarëve.
“Nuk ndalen sulmet e pushtetit – deputeti Rrustemi i kërkon Prokurorisë të hetojë mediet Edhe deputeti Adnan Rrustemi i është bashkuar sulmeve të papranueshme kundër medieve. Deputeti i Vetëvendosjes, gjithashtu i referohet shkrimit të mediumit të quajtur “Slobodna Bosna”, për gjoja kontrollin e medieve të Kosovës nga ana e Serbisë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja, i ka bërë thirrje VV-së të ndalojë fushatën sulmuese kundër medias.