Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, e ka mirëpritur hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian (BE).
Ai ka reaguar përmes një postimi në Facebook ku ka thënë se “Evropa është shtëpia jonë dhe nuk kishim zgjidhje tjetër pavarësisht pengesave nëpër të cilat kemi kaluar”.
Ahmeti i ka lavdëruar qeverisjet e Maqedonisë së Veriut, të cilat sipas tij kanë marrë vendime të guximshme për t’i mbyllur disa çështje të hapura, siç është ai për emrin dhe kontesti i fundit me Bullgarinë në lidhje me gjuhën dhe historinë.
“Në të njëjtën kohë, nuk devijuam në asnjë rast nga kursi evropian, nga reformat dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal. Mbetemi të përkushtuar për zbatimin e proceseve reformuese dhe marrëveshjeve të arritura”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Në fund, ai i ka uruar të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut për fillimin e bisedimeve për t’u anëtarësuar në BE.
Të martën zyrtarisht kanë nisur negociatat për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Procesi ishte i bllokuar që dy vjet për shkak të vetos së Bullgarisë e cila kishte konteste të hapura me Maqedoninë e Veriut në lidhje me historinë dhe gjuhën. Meqenëse integrimi i Shqipërisë ishte bashkë në një pako me Maqedoninë e Veriut, procesi u bllokua edhe për të.
Ndërkaq, pas miratimit në Kuvendin e Maqedonisë të “Propozimit Francez”, u krijua hapësirë që negociatat të fillonin menjëherë. Me këtë propozim ishte pajtuar edhe shteti bullgar, i cili është zotuar se më nuk do të jetë bllokues i procesit.