Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), u ka kërkuar partive politike të mbrojnë të dhënat personale gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në komunikatë për media, thuhet se AIP-ja në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit, përkatësisht mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, në vitet e fundit ka pranuar ankesa të adresuara nga qytetarët ndaj partive politike për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve në mënyrë të paautorizuar, duke aplikuar marketingun e drejtpërdrejtë, të cilat raste thuhet se janë trajtuar përkitazi me ligjin.
“Për të siguruar zbatimin e ligjit, për mbrojtjen e të dhënave personale dhe njëkohësisht për të shmangur çdo veprim të Agjencisë kundrejt partive politike dhe subjekteve të përfshira në procesin e fushatës elektorale, Agjencia kërkon nga partitë politike zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos ekspozuar të dhënat personale gjatë komunikimit nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazheve (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak”, thuhet tutje në komunikatë.
Agjencia ka ofruar bashkëpunim me subjektet politike, siç thuhet, për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve dhe ka bërë thirrje që çdo informacion personal i mbledhur gjatë procesit të regjistrimit të votuesve, për realizimin e komunikimit me qytetarët gjatë aktiviteteve të fushatës zgjedhore, të përdoret në përputhje me kërkesat ligjore.