Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga rrjeti social TikTok, i cili po vlerësohet i rrezikshëm për privatësinë, që ta ndryshojë moshën e përdorimit në Kosovë, nga 13 në 16 vjeç.
Përdorimi i rrjetit TikTok është ndaluar në institucionet shtetërore të Kosovës, por vazhdon të përdoret në nivel vendi.
Më 28 qershor, Qeveria e Kosovës miratoi ligjin për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të rrjetit social TikTok në të gjitha institucionet e vendit, me qëllim të ruajtjes së privatësisë.
AIP-i gjatë një takimi me përfaqësuesit e TikTokut në Evropë kanë kërkuar që mosha e përdorimit të këtij rrjeti social nga 13 të ngrihet në 16.
Gjithashtu, me kërkesë të AIP-it, politikat e privatësisë të TikTokut janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Komisionerja në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Krenare Dermaku, ka thënë se qytetarët duhet të kenë kujdes që të dhënat e tyre personale të ruhen.
“Ne e kemi marrë brenda autorizimeve tona ligjore, kemi ndërmarrë veprimet, kemi kontaktuar përfaqësuesit e TikTok-ut, kemi mbajtur disa takime radhazi, ende kemi kontaktin zyrtar të përfaqësisë të TikTok-ut në Evropë. NNe kemi kërkuar prej tyre që politikat e privatësisë të TikTok-ut të përkthehen në gjuhën shqipe, gjë e cila është bërë tashmë dhe kushdo që hap TikTok në Kosovë i ka politikat e privatësisë në gjuhën e kuptueshme dhe kjo e përmbush njërën prej parimeve të ligjit për mbrojtjen e të dhënave që është transparenca ndaj qytetarit, karshi obligimit që e kanë të gjithë kontrolluesit e të dhënave personale në këtë rast TikTok, si dhe kemi kërkuar që mosha për përdorim të ngrihet nga 13, siç ka qenë në 16-vjeç ashtu siç e parasheh ligji ynë nacional. 5:38 Ajo çka ne duhet të bëjmë si shoqëri dhe si institucione është ngritja e vetëdijes së qytetarëve se ku dhe kujt po ia servojnë të dhënat personale,” ka porositur Dermaku.
Eksperti i kibernetikës, Mentor Hoxha, thotë se jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit po iu ekspozohen shpesh përmbajtjeve të papërshtatshme.
“Në këtë drejtim Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë një vendim bazuar në cenimin e sigurisë kombëtare. Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit, janë duke ekspozuar përmbajtjeve të pa përshtatshme…Ky shqetësim në TikTok nuk ka të bëjë vetëm me përmbajtjet e papërshtatshme, por në TikTok shohim edhe aktivitete ilegale, të cilat ashtu siç e kanë theksuar në të kaluarën, aktivitete të tilla kemi pasur të shohim vetëm në ‘dark ueb’. 3:38 Në TikTok më së paku kemi liri të fjalës, më shumë kemi shkelje flagrante të ligjeve në fuqi, ligjeve ndërkombëtare ku aktiviteti ilegal është duke u lexuar, përmbajtjet e papërshtatshme janë duke lulëzuar,” ka thënë Hoxha.
Sociologu Ferdi Kamberi në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka shprehur shqetësimin se shumë fëmijë e gjejnë veten të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme seksuale, e cila mund t’i dërgojë në sjellje seksuale të të miturve dhe të dëmtojë zhvillimin e tyre emocional dhe social.
“TikTok është një ndër rrjetet sociale që për dallim nga të tjerat ndikon dukshëm në privatësinë e individit, edhe pse mosha adekuate në rrjete sociale është 13- vjeç, shumica e të rinjve shpeshherë e anashkalojnë. Ndikime të tjera janë edhe hiperseksualiteti i fëmijëve, ku shumë fëmijë e gjejnë veten të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme seksuale në këtë platformë, e cila mund të çojë në sjellje seksuale të të miturve dhe të dëmtojë zhvillimin e tyre emocional dhe social. Po ashtu, ndikime të tjera vërehen edhe te tendenca më e madhe e pedofilëve, bullizmi, cenimi i privatësisë, varësia nga TikTok, tendenca për të qenë në qendër të vëmendjes, etj”, ka thënë Kamberi.
Shqetësimet se qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve në TikTok, i cili është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, e kanë shtyrë qeverinë amerikane të miratojë legjislacionin që ndalon platformën e mediave sociale nëse ajo nuk shitet për një vit.
Ligjvënësit dhe rregullatorët në Perëndim kanë shprehur gjithnjë e më shumë shqetësimin se TikTok dhe kompania e tij amë ByteDance, mund të vendosin të dhëna të ndjeshme të përdoruesit, si informacionet e vendndodhjes, në duart e qeverisë kineze.
India ka ndaluar aplikacionin TikTok në vitin 2020, pasi New Delhi zyrtar goditi qindra aplikacione në pronësi kineze, duke pretenduar pjesërisht se ata po transmetonin fshehurazi të dhënat e përdoruesve në serverë të huaj.
Britania dhe Parlamenti i saj, Australia, Kanada, krahu ekzekutiv i BE-së, Franca dhe Parlamenti i Zelandës së Re kanë ndaluar aplikacionin nga pajisjet zyrtare pasi përfaqëson një kërcënim të sigurisë kombëtare. /KP