Ditëve të fundit, Prishtina dhe qytete të tjera të Kosovës po përballen me nivele të larta të ndotjes së ajrit.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK), cilësia e ajrit në kryeqytet aktualisht është 144, që është e pashëndetshme për grupet e ndjeshme.
IKSHPk-ja ka rekomanduar se duhet të ketë reduktim i daljeve në hapësira të ndotura, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje, për individët me sëmundje kronike të zemrës dhe mushkërive, fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Po ashtu, mos hapja e dritareve për ajrosje, veçanërisht kur nivelet e ndotjes janë të larta, dhe përdorimi i maskave mbrojtëse ose shallit nëse është e nevojshme të dilet jashtë.
Gjitashtu, duhet të ketë reduktim të pirjes së duhanit në ambiente të hapura me frekuencë të lartë të njerëzve dhe ndalimi i pirjes në hapësira të mbyllura.
Grupet e rrezikuara, si ata me sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, pacientët me astmë, të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna, rekomandohet të kalojnë më shumë kohë në zona malore dhe vendpushime të shëndetshme, ku ndotja është më e ulët.
Në një artikull të fundit, Reuters ka treguar për Shemsi Garën, një ish-punëtor minierash në Kosovë, i cili kaloi 30 vjet duke operuar një ekskavator në minierën e qymyrit, duke u ekspozuar ndaj pluhurit toksik që ndikoi seriozisht në shëndetin e tij.
Gara, i cili vdiq në moshën 55-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin në mushkëri, është një shembull tragjik i pasojave shëndetësore të industrive të qymyrit dhe impianteve të energjisë, të cilat vazhdojnë të lëshojnë ndotje mbi qytetet dhe fshatrat e Kosovës.
Qytetet relativisht të vogla si kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, dhe kryeqyteti i Bosnjës, Sarajeva, shpesh kanë udhëhequr renditjet globale të ndotjes, sipas faqeve të internetit që ndjekin cilësinë e ajrit në mbarë botën.
Kjo ka ndikime të kushtueshme për shëndetin dhe gjithashtu mund të rrezikojë mundësitë e këtyre vendeve për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, i cili ka standarde më të rrepta të emetimeve.
Në BE, emisionet neto të gazrave serë kanë rënë me rreth 40% që nga viti 1990, duke u udhëhequr nga adoptimi i energjisë së rinovueshme, sipas një raporti të Komisionit Evropian të publikuar në nëntor.
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë premtuar të reduktojnë emisionet e karbonit, por varfëria ekonomike ka ngadalësuar progresin. Kosova, një nga vendet më të varfra të Evropës, gjeneron më shumë se 90% të energjisë së saj nga qymyri.
Banka Botërore vlerëson se një kalim në një ekonomi pa qymyr do të kushtonte 4.5 miliardë euro.