Të hënën e 27 nëntorit, në Objektin Qendror të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit në mes të drejtorit të AKI-së Petrit Ajeti dhe zv. drejtorit të përgjithshëm, të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, Lebibe Haliti.
Sipas njoftimit të AKI-së, ky Memorandum do të ndihmojë ARBK-në dhe AKI-në në avancimin e bashkëpunimit dhe lehtësimin e përmbushjes së detyrave dhe të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
“Informacionet e grumbulluara nga ky bashkëpunim, do të ndihmojnë në luftën kundër krimit te organizuar, shpëlarjes së parave, financimit të terrorizmit, luftën kundër ekonomisë jo formale, identifikimin e kapitalit dhe investimeve nga vendet dhe individ të sanksionuar nga Institucionet Ndërkombëtare, si dhe identifikimin e kapitalit të dyshimtë”, thuhet tutje në njoftim.