Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ndodhi të hënën e dy majit në fshatin Baran të Pejës, derisa njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.
Kështu ka thënë për RTV Dukagjinin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
”Rreth orës 16:30, policia është njoftuar për një aksident në fshatin Baran të Pejës, ku janë përfshirë dy vetura dhe janë lënduar dy persona. Të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës dhe njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë shëndetësore”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq, kjo datë përkon edhe me një ngjarje tjetër, ku një 26-vjeçar, e ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri, të hënën e dy majit në fshatin Greikoc të Komunës së Suharekës.
Këtë për RTV Dukagjinin, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka theksuar se rasti po cilësohet si “vdekje e dyshimtë”.
Ai ka thënë se përkundër përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë viktimën, i njëjti, ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Prizrenit.
Kjo pasi afër shtëpisë së viktimës është gjetur një armë e tipit AK-47, që dyshohet të jetë përdorur në këtë ngjarje.
Ndryshe, të hënën e dy majit, Policia e Kosovës e ka konfirmuar vdekjen e dy personave në fshatin Gllobar të komunës së Drenasit, si pasojë e një aksidenti trafiku.
Kështu ka bërë të ditur për RTV Dukagjini, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka theksuar se në aksident janë përfshirë dy automjete, ku kanë mbetur të lënduar edhe tre persona të tjerë.
“Rreth orës 14:00, është pranuar informata për një aksident trafiku të ndodhur në fshatin Gllobar, të komunës së Drenasit. Nga informatat e para, bëhet e ditur se dy vetura janë përfshirë në aksident, dhe si pasojë e aksidentit dy persona kanë humbur jetën përderisa tre të tjerë kanë pësuar lëndime”.
Sipas Borovcit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkaq të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtimin e nevojshëm mjekësor.