Të hënën e 25 korrikut, një person ka vdekur në Pogragjë të Gjilanit, si pasojë e një aksidenti mes një kamioni dhe një veture të llojit pikap.
Rastin për portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Ju njoftojmë me informatë shtesë se sot më 25.07.2022 rreth orës 14:12 në dalje të fshatit Pogragjë është shkaktuar aksident trafiku në mes të një kamioni dhe një veture e llojit pikap ,me tabela vendore”, ka deklaruar Hashani.
“Me këtë rast drejtuesi i kamionit e ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit të tij dhe më pastaj pas një distance të konsiderueshme është përplasur për një muri skaj rruge. Ndihma e shpejtë personin e aksidentuar (drejtuesin e kamionit) me urgjencë e kanë dërguar në emergjencën e Spital Rajonal në Gjilan”, ka shtuar ai.
Hashani ka bërë të ditur se edhe për kundër ndihmës së mjekëve, personi i aksidentuar i lindur më 1960, shtetas i Kosovës ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Ndërkaq, për rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore(IML) në Prishtinë.
Po ashtu rasti po hetohet nga policia e Kosovës dhe nga njësitet e trafikut rajonal.