Të dielën e 30 tetorit, një person ka humbur jetën si pasojë e një aksident trafiku në rrugën Bardh i madh-Drenas.
Kështu ka bërë të ditur për Portali Dukagjini, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka theksuar se në këtë aksident janë përfshirë një këmbësor dhe një veturë, ku nga plagët e marra, këmbësori ka ndërruar jetë.
“Rreth orës 17:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Bardh i madh-Drenas, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një veturë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, Ahmeti ka potencuar se policia ka nisur një hetim për zbardhjen e rastit.
“Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku”, shtoi ajo.
Ndryshe, në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, si pasojë e të cilit ka mbetur një i lënduar.
Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësja e Policisë së rajonit të Prishtinë, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se personi i lënduar tashmë është dërguar për tretman mjekësor.
“Sot rreth orës 17:00 në rrugën ‘Fahri Fazliu’ në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të një automjeti dhe një motoçiklete. Si pasojë e aksidentit një person ka pësuar lëndime trupore. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor” – ka thënë ajo.
Ndryshe, në raportin e policisë, thuhet se brenda 24 orëve kanë ndodhur 28 aksidente të trafikut me të lënduar.
Ndërkaq, janë edhe 27 aksidente trafiku me dëme materiale, të raportuara nga policia për të shtunën e 29 tetorit.