Një person ka mbetur i vdekur si pasojë e një aksident trafiku në rrugën Gjilan-Prishtinë, të dielën e 19 qershorit.
Këtë për Portali D, e ka konfirmuar, zëdhënësi i policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka treguar se bëhet fjalë për vetaksident ku i involvuar ishte një kamion për transport të drunjve.
“Ju njoftojmë se me datën 19.06.2022 rreth orës 15:31, kemi pranuar një informatë për një rast aksident trafiku me lëndime në rrugën Gjilan – Prishtinë në fshatin Parallovë komuna Novobërdë”, ka njoftuar Hashani.
Sipas tij, Policia e Kosovës, njësiti i Komunikacionit rrugor ka arritur me urgjencë në vend të ngjarjes.
“Nga hetimet e para mësohet se bëhet fjalë për vet aksident ku i involvuar është një kamion për transport të druve ( i cili ka dalë nga rruga për shkaqe tani te panjohura). Drejtuesi i mjetit shqiptar shtetas i Kosovës (1977) ka pësuar lëndime të rënda trupore i cili edhe përkundër ndihmës së mjekëve si pasojë e lëndimeve në vetaksident ka ndërruar jetë”, ka njoftuar Hashani.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar nga ana e policisë.