Në pamje të parë, pritjet mund të jenë për një aksident me përmasa tragjike.
Por, nga vetaksidenti i autobusit të kompanisë “Shpejtimi” bilanci për fat të mirë nuk ka qenë aq i rëndë, ngaqë lëndime pësuan 3 persona, që nuk kaluan as natën në spital.
Por dëmet materiale që la autobusi që pa udhëtarë po kthehej nga Austria, ishin të larta, pasi përfundoi në hapësirën e një autosalloni, duke shkatërruar disa prej veturave të para që i goditi.
“Rreth orës 3:00 të mëngjesit, kam pasur telefonatë nga Policia e Kosovës edhe dy personave kalimtar për vetaksident. Ka shkaktu dëme konsideruese, shumë dëme të mëdha. Mbi 200 mijë euro, janë mbi 7 vetura të prishura”, tha Shkelzen Bushat nga autosalloni “Xeni”.
Bushati ka ngritur dyshime se shoferi i autobusit mund të ketë qenë në gjumë, meqë i njëjti po kthehej nga një rrugë e largët, por kompania “Shpejtimi” një sqarim të publikuar gjatë ditës, kanë treguar për versionin e dhënë nga shoferi.
Sipas këtij të fundit, aksidenti ka ndodhur në një tentativë për të shmangur një pengesë në rrugë, ku për rrjedhojë, autobusi ka humbur kontrollin.
Autobusi, sipas kompanisë, ishte në rregull teknikisht dhe u ishte nënshtruar kontolleve të vazhdueshme teknike.
Derisa policia po vazhdon hetimet, në spitalin e Gjakovës, kanë treguar për gjendjen e tre të lënduarve që u dërguan nga aty për trajtim pas ngjarjes.
“Të hënën, në orët e mëngjesit, rreth orës 3:15 janë paraqitur tre të aksidentuar të moshave, 20,28 dhe 36. Lëndimet kanë qenë të lehta. Ata janë ekzaminuar dhe lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë”, tha Hilmi Shala, drejtor i Spitalit të Gjakovës.
Përndryshe, sipas pronarit të autosallonit “Xeni”, ky është aksidenti i 5 nga i cili kanë përfunduar me dëme, duke bërë thirrje tek institucionet për masa parandaluese e ndëshkuese ndaj vozitësve të pakujdesshëm, që të shmanget rreziku për njerëz e dëme materiale.