Një aksident i rëndë trafiku ndodhi të dielën mbrëma në fshatin Çubrel të Skenderajt, ku si pasojë humbën jetën tre persona dhe pesë të tjerë u lënduan.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka bërë të ditur se dyshohet se aksidenti ka ndodhur nga shpejtësia e lëvizjes së veturës zyrtare të policisë.
Sipas njoftimit, drejtuesi i veturës së policisë ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.
“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.