Janë pamje të aksidentit tragjik, në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku mbetën të vdekur tre persona.
Gara të tilla, organizohen ilegalisht në Kosovë. Madje, kjo ndodhë jo rrallë herë.
Dy organizatorët e kësaj gare, janë arrestuar nga Policia e Kosovës.
Irfan Hoti dhe Arlind Syla, sipas kërkesës së Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, e planifikuan garën dhe vet morrën pjesë në të.
Që të dy kanë dhjetëra gjoba trafiku të shqiptuara nga Policia e Kosovës.
Ndonëse ka fjalë të mira për policinë, themeluesi i grupit më të madh shqiptarë të dashamirëve të veturave, Advan Plakolli, thotë se shteti e bartë një pjesë të madhe të përgjegjësisë.
“Unë pak e lë në faj edhe shtetin që nuk bënë diçka për këtë sport, që është ndoshta numër një në Kosovë. Jo vetëm në Kosovë, mirëpo në gjithë botën vetura është trend, sidomos për meshkujt në moshë të re”, tha Advan Plakolli nga grupi “Marakli t’Kerreve”.
Plakolli thekson se edhe Federata e Auto Sporteve të Kosovës, i ka vështirësuar kriteret për të garuar në pista.
“Më herët Federata e ka pas një abonim një herë në vit, i cili ka kushtuar 35 euro. Tash qysh kam dëgju e ka bërë 100 euro vjetoren. Më herët ke mujtë me hy saherë të duash në pistë, çdo ditë, edhe me zhvillu gara ose me provu kerrin. Po tash e ka ndalu atë. Tash mundesh me marrë pjesë vetëm kur organizon federata gara”, tha Plakolli.
Garat e tilla, profesori Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit, thekson se janë të shpeshta në rrugët e Kosovës.
Gjatë ditë, dy të pandehurve, Gjykata Themelore e Prizrenit ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Përveç tre këmbësorëve që vdiqën në vendin e ngjarjes, viktimë dy të dyshuarve kanë qenë edhe tre persona të tjerë që kanë marrë lëndime trupore.