Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik.
Ata dyshohen për aksidentin e rëndë në Prizren, ku vdiqën tre persona.
“Gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16.12.2023 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.01.2024 ndaj të pandehurve A.S., dhe I.H., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’ nga neni 370 – par.5 (nëse vepra penale rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave,) lidhur me par.1 dhe nenin 31 të kodit Penale të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata njofton se ka “dyshim të bazuar” se ata organizuan “garë të kundërligjshme automobilistike”, duke u marrë vesh paraprakisht.
A.S. dhe I.H., sipas Gjykatës, ishim marrë vesh paraprakisht për garën, e cila ua mori jetën tre të rinjve që po e ndiqnin atë.
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar “se me datë 16 dhjetor 2023, rreth orës 22:30 në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në Prizren, saktësisht me dashje dhe në bashkëkryerje, veprojnë në kundërshtim me Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht, merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që të pandehurit, A.S., dhe I.H., lëvizin paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast i pandehuri A.S., humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit, duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin tjetër i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime trupore të dëmtuarve M.Z., S.Z., dhe B.P., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke e ndjekur zhvillimin e garës automobilisitke në mes të të pandehurve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kurse a do të argumentohen këto fakte, thuhet se do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata thuhet se ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën fillestare të hetimeve dhe do të merret në pyetje të pandehurit dhe dëshmitarët eventualë.
“Andaj, me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i posaçëm se të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojnë në dëshmitarë apo tek bashkë të pandehurit. Po ashtu, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale që iu ngarkohet dhe pasojat që kanë shkaktuar me veprimet e tyre, është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, siç thuhet, “duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, duke ndërmarrë veprime të rrezikshme, të gjitha këto shtojnë dyshimin se me lënien e të të pandehurve në liri, të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale, apo mund të jepen në arrati, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve, në lidhje me aksidentin në autostradën “Ibrahim Rugova, ku mbetën tre persona të vdekur.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se të dytë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.