Një veturë e eskortës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurt, është aksidentuar rrugës për në Gjilan, të dielën e 11 dhjetorit.
Si pasojë e këtij aksidenti janë shkaktuar kolona të gjata në magjistralen Prishtinë – Gjilan. Lajmin ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Kryeziu ka theksuar se kryeministri Kurti nuk ka qenë në veturën e aksidentuar.
Ai ka potencuar se nga ky aksident komunikacioni nuk ka pasur të lënduar.
“Rrugës për në Gjilan, një nga automjetet e eskortës së Kryeministrit ka pasur një aksident komunikacioni. Nuk bëhet fjalë për veturën në të cilën gjendej Kryeministri. Për fat të mirë nuk ka të lënduar nga asnjëra palë e përfshirë në aksident”, ka thënë Kryeziu.