Linjat e autobusëve të Podujevës dhe Lipjanit nuk janë duke i respektuar rregullat që të kalojnë në linjat e paracaktuara dhe të mos futen në brendësi të Prishtinës. Për këtë, Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës ka nisur një aksion nën asistimin e policisë, që ka për qëllim parandalimin e futjes së operatorëve ndërurbanë në brendi të qytetit.
Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, tha se ky aksion i inspektoratit komunal është duke vazhduar, ndërkaq janë duke shikuar edhe për linja të tjera, të cilat nuk po zbatojnë rregullat.
“Është një aksion që po vazhdon edhe sot dhe do të vazhdojë edhe më tutje. Vendimi është sepse autobusët ose një pjesë e tyre, e autobusëve që kanë të përcaktuara linjat ndërurbane, futen në brendësi të qytetit duke mos pasur të drejtë, sepse ata i kanë të përcaktuara linjat dhe rrugët në kuadër të cilave duhet të qarkullojnë. E kanë të përcaktuar po ashtu që duhet të hyjnë dhe të kryejnë shërbimet e tyre në kuadër të stacionit të autobusëve në Prishtinë, por të njëjtit nuk respektojnë linjat e përcaktuara, nuk respektojnë detyrimin që të futet në stacionin e autobusëve dhe ndjekin rrugët më të shkurta në kryeqytet, duke shkaktuar në këtë formë edhe ‘tollovi’ në trafikun e kryeqytetit. Ka disa linja që qarkullojnë nga komunat përreth Komunës së Prishtinës, siç janë rasti me Lipjanin, me Podujevën, por edhe disa të tjera që ne do t’i propozojmë tash forcës për komunikacion në kuadër të kryeqytetit që t’i rishikojë edhe një herë linjat e tyre”, ka thënë ai.
Dushi shtoi se kalimi i këtyre autobusëve në brendësi, po ndikon negativisht në trafikun e qytetit.
“Ka ankesa të shumta dhe pastaj ka vlerësime nga vetë Komuna e Prishtinës, sipas të cilave, duke u futur në brendësi të qytetit në zona të cilat ata nuk kanë të drejtë të futen, po krijojnë ose po ndikojnë negativisht në rrjedhën, në mbarëvajtjen e trafikut në kryeqytet. Unë sot isha personalisht me inspektorët në teren dhe pashë që megjithatë deri në një masë është duke u respektuar”, shtoi ai.
Bekimi Ahmeti, ekspert i komunikacionit, tha se ky lajm për të është “fantastik”, duke theksuar se ndërurbani i ka bërë gjithnjë konkurrencë urbanit, për nga ana e udhëtarëve.
“Lajm fantastik, shumë i mirë. Autobusët ndërurbanë le ta shfrytëzojnë rrugën Prishtinë-Mitrovicë, në qoftë se janë nga Podujeva. Po e pranoj si jashtëzakonisht mirë sepse ndërurbani gjithmonë i ka bërë konkurencë urbanit në aspektin e udhëtarëve. Një ditë e fotografova te xhamia e Llapit, nuk kishte autobusi urban se ku të ndalej që të marrë udhëtarë prej ndërurbanit. Kjo praktikë nuk ndodh askund me përjashtim të vendit tonë. Ndërurbani shkon në stacion të autobusëve, pastaj është linja e rregullt që nga stacioni i autobusëve i shpërndan udhëtarët në qytet”, theksoi ai.
Ahmeti shtoi se qyteti i Prishtinës nuk ka kapacitet hapësinor që t’i pranojë 120 mijë automjete brenda qytetit.
“Autobusët ndërurbanë shkaktojnë dendësi jashtëzakonisht të madhe brenda qytetit. Qyteti i Prishtinës gjeografikisht është i vogël që të pranojë 120 mijë automjete jashtë qyteteve tjera edhe urbani është e papërballueshme”, potencoi ai.
Ndërkaq, qytetari Zeqir Vrapca tha se autobusët ndërurbanë nuk duhet lejuar në qytet, vetëm ata urbanë.
“Rregullat e qytetit dihen, nëse është në të mirë të qytetit, mundet edhe t’i lejojnë. Ndërurbanin nuk do ta kisha lejuar në qytet, vetëm atë urban”, theksoi ai.
Ndërkaq, Drejtoria e Inspeksionit ka kërkuar nga të gjithë operatorët ndërurbanë që të respektojnë në mënyrë strikte vijën e qarkullimit të tyre për shkak se në të ardhmen, përveç gjobave ndaj tyre, do të iniciohen edhe procedurat e sekuestrimit të përkohshëm të mjeteve të tyre të transportit.
Kujtojmë se Komuna e Prishtinës më 10 mars të këtij viti, ka marrë vendim për moskalimin e autobusëve ndërurbanë në brendësi të Prishtinës. /KSP/.