Policia e Kosovës ka kryer një operacion në 21 lokacione në Mitrovicë të Jugut, Mitrovicë të Veriut, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq, duke arrestuar 16 persona për kontrabandë me armë dhe detyrim.
13 prej tyre janë dërguar në ndalim për 48 orë me vendim të prokurorit. Siç ka mësuar Dukagjini njëri nga të arrestuarit në bastisje është një zyrtar policor. Zveçani edhe Leposaviqi kanë qenë lokacione me të cilat ka bashkëpunuar i njejti. Ai është suspenduar nga zv/drejtori i Policisë në Veri.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të mbështetura nga njësi relevante policore dhe Inspektorati Policor i Kosovës, me datën 19.03.2025, pas hetimeve disa mujore, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku janë kontrolluar gjithsej 21 lokacione në Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, Vushtrri, Skenderaj dhe Leposaviq”, thuhet në njoftim.
Të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprave penale të “detyrimit” dhe “importit, eksportit, furnizimit, transportimit, prodhimit, këmbimit, ndërmjetësimit ose shitjes së paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”.
Gjatë bastisjeve, policia ka sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, një thikë, tytat e armëve, fatrolla për armë dhe një pajisje DVR.
“Nga ky operacion policor janë shoqëruar në Polici gjithsej 16 persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘detyrim’ si dhe ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’. Si dëshmi materiale gjatë kontrollit janë sekuestruar 9 armë zjarri, 200 fishekë, municione të ndryshme, 15 telefona mobilë, 2 palë pranga, thikë, tyta të armës, fatrolla për armë dhe 1 DVR. Pas intervistimit lidhur me rastin, me vendim të prokurorit, 13 persona shkojnë në ndalim prej 48 orësh”.