Zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun, Veton Elshani, ka deklaruar se hetime tashmë janë duke u zhvilluar lidhur me arsenalin e armëve të gjetura në Zveçan.
Në një lidhje direkte në “FIVE” të RTV Dukagjini, Elshani ka dhënë detaje rreth operacionit në Zveçan. Ai theksoi se informacioni për arsenalin e armëve ishte pranuar nga Agjensia e Kosovës për Intelegjencë e ishte përcjellë me veprimet e Policisë së Kosovës.
Ai thekson se në interes mbetet viti i prodhimit i disa prej mjeteve të gjetura.
“Informacionin e kemi pranuar nga Agjensia e Kosovës për Intelegjencë, e cila e ka dërguar informacionin te Policia e Kosovës dhe Policia mandej ka marrë masa në pajtueshmëri me ligjin që do të thotë kemi vepruar sot, kemi bërë bastisje te një objekt, përcjell i një shtëpie, në një lagje në qytetin e Zveçanit ku kemi hasur në armatimin që keni parë. Kemi gjetur katër armë automatike AK47, municon i ndryshëm, garanata të dorës të prodhura në vitin 2021,. Mjete eksplozive, uniforma të ndryshme. Për shkak të vitit të prodhimit, këto janë në interes për ne. Ne do të zhvillojmë një hetim që është duke u zhvilluar tashmë nga Hetimet e Krimeve të rënda në Prishtinë…dhe do shohim ku na dërgojnë hetimet. Nuk kemi të arrestuar, por kemi një të dyshimtë. Me siguri që më vonë do të merremi me të.”, ka theksuar Elshani.
Ky i fundi thekson se përgatitjet për operacionin policor ishin të mjaftueshme e po njësoj ishte numri i zyrtarëve policorë. Ndërkaq, Elshani theksoi se në rast nevoje, në gatishmëri intervenimi ishin edhe njësitet e tjera policore.
Se si është gjendja aktuale në veri të vendit, Elshani thekson se ndonëse e njëjta konsiderohet e qetë, njëherit varet edhe nga shteti fqinj Serbia e jo vetëm.
“Gjendja mund të konsiderohet e qetë, zhvillimet politike e diktojnë veprimet tona në terren. Ju e shihni që ne kemi gjithmonë e më shumë kërkesa për asistencë nga agjensionet e ndryshme, është shtrirje e plotë e PK-së në tërë Kosovën, në tërë veriun. Janë aspekte politike që diktojnë se si do të jetë aspeki i sigurisë në veri. Ne konsiderojmë se kjo më shumë varet nga shteti fiqnj Serbia se a prek pullën për të pasur ndonjë zhvillim”, ka theksuar Elshani.
Krahas kësaj, ai thekson se Policia e Kosovës ka bërë arritje dhe konsideron se mbetet e kënaqur me punën e deritanishme, ndonëse thekson se ka ende për t’u bërë.
Ndryshe, tanimë është prezantuar armatimi i gjetur gjatë bastisjes në një shtëpi në Zveçan.
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Veri ka bërë të ditur se në mesin e armatimit gjendeshin katër armë automatike, karikatorë të shumtë me plumba e municion përcjellës dhe materiale të ndryshme shpërthyese.
Në një konferencë për medie, nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se hetimet janë duke u zhvilluar dhe se me rastin nuk ka ende persona të arrestuar e megjithatë, ka të dyshuar.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se të martën e pesë shtatorit, Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan.
Sipas ministrit të këtij dikasteri, kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
“Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv”, ka shkruar ai.
Sveçla ka theksuar se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.
SASIA
Ndërkaq, në një komunikatë nga PK, janë treguar detajisht lloji dhe sasia e armatimit të gjetur.
“Katër armë AK 47, tridhjetë e katër karikatorë të armës AK 47, një mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë (1546) fishekë të kalibrave të ndryshëm, tetë granata dore, një (1) minë anti-këmbësorie, dy gazë-maska, dy çanta ushtarake, një shok-bombë, dy fishekë-zjarre, dy optika të armës, një thikë ushtarake, një maskë ushtarake, dy rripa për mbajtje të municionit të gjuetisë, pesë (5) çanta të vogla ushtarake, një rrip i pajisjeve ushtarake, një këllëf i pistoletës dhe pajisje për pastrim të armatimit”, thuhet në komunikatë.