Kritikat nuk janë kursyer edhe një herë tjetër nga aleatët perëndimor në drejtim të Kosovës, pas aksionit të së hënës në veri.
Fillimisht, Departamenti Amerikan i Shtetit ka kritikuar Qeverinë për moskonsultim me partnerët rreth këtij operacioni, ku u mbyllën 6 njësi të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë.
Lëvizje të tilla, DASH-i vlerësoi se mund të çojnë në përshkallëzim të tensioneve.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”, thuhet në reagimin e DASH-it.
Për këtë reagim nga Washingtoni u pyet ministri i Financeve, Hekuran Murati pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, por tha se nuk ka shumë njohuri rreth tij.
Në përgjigjen e tij, Murati arsyetoi veprimin e institucioneve.
“Kurse sa i përket reagimit nuk jam në dijeni për detajet, megjithatë çdo veprim i bazuar në ligjshmërinë dhe shtrirjen e ligjshmërisë në çdo cep të vendit. Pra, duhet ta kemi parasysh edhe një gjë. Nuk është se ka ndodhur dje ai aktivitet, me sa pash nga një reagim nga përfaqësuesi i Beogradit në dialog, ishte që këto zyra kanë filluar aktivitetin në vitin 2018, që është po ashtu një fakt interesant dhe i rëndësishëm”, ka deklaruar Murati.
Përveç SHBA-së, reagim të ashpër kundër aksionit ka pasur edhe nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Veprimet e tilla, sipas Brukselit, e vënë në rrezik zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, thuhet nga BE-ja.
Gjatë ditës, një reagim ka ardhur edhe nga KFOR-i, të cilët rezulton se vetëm pak para aksionit ishin vënë në dijeni për aksioni, e cili sipas tyre mund të ndikojë në sigurinë rajonale.
“KFOR-i është njoftuar pak para fillimit të operacioneve të institucioneve në Kosovë kundër degëve të Bankës Postanska Stedionica të vendosura në komunat veriore të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potok. Personeli i KFOR-it nuk ishte i përfshirë në ekzekutimin e këtyre operacioneve. KFOR-i pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Ngjashëm situatën e ka parë edhe Mbretëria e Bashkuar, ambasada e së cilës ka kërkuar nga Kosova që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog.