Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e trefishtë që kishte ndodhur më 2021 në Gllogjan, ndaj një autobusi brenda të cilit humbën jetën tre persona.
Gjatë një konference për media të premten, Prokurorja e krimeve të rënda, Sahide Gashi bëri të ditur se përderisa aktakuza u ngrit ndaj tre të dyshuarve, për të dyshuarin e katërt hetimet pushuan.
“Pas hetimeve, Prokuroria sot ka ngritur aktakuzë në gjykatën në Pejë, kundër Kastriot Mehmetaj dhe Kreshnik Mehmetaj, për veprën penale si bashkëkryes së veprës së rëndë. Po ashtu, kemi ngritur aktakuzë kundër Halil Mehmetaj për shtytje në vrasje të rëndë”, ka thënë Sahide Gashi gjersa ka theksuar se “Pas përfundimit të hetimeve, pas analizimit, Prokuroria të pandehurin Malësor Mehmetaj nuk ka arritur ta vërtetojë dyshimin se ka qenë i përfshirë në përgatitjen, ndihmën apo në zbatimin e aktit. Prokuroria ka marrë vendim t’i pushojë hetimet”.
Tutje, ajo ka thënë se nuk ka pasur indikacione për sulm terrorist, por krimi ka qenë i menduar mirë.
“Nuk ka indikacione për sulm terrorist, kemi të bëjmë me një ekzekutues me shumë gjasë i maskuar, target ishte shoferi i autobusit, krimi ishte mirë i planifikuar”, ka thënë ajo.
Ajo ka bërë të ditur edhe për procesin e hetimeve, derisa ka treguar se janë siguruar informata edhe nga kompanitë Facebook dhe Viber.
“Hetuesit në udhëheqjen si prokurore e çështjes, gjerë në përfundim të tyre, ka proceduar mbi 86 persona, natën kritike deri në mëngjes janë trajtuar dhjetëra informata dhe gjatë hetimeve qindra prej tyre, janë analizuar mbi 41 videoincizime prej kamerave nga Gjakova deri në Gllogjan, duke përcjellë autobusin ‘Erblini’. I janë nënshtruar sekuestrimit së paku dhjetë lokacione, janë dërguar provat në laboratorë jashtë shtetit, në Prishtinë, Cyrih, në Tiranë. Janë siguruar informata nga burime jashtë vendit, kompania Facebook dhe Viber në Luksemburg”, tha ajo.
Ndonëse gazetarët insistuan që prokurorja e çështjes ta tregojë motivin e të dyshuarve, ajo nuk ka pranuar të flasë më tej, vetëm se ka thënë se motivi dihet.
“Fakti që sot është ngritur aktakuzë, ne kemi mundur të gjejmë prova direkte dhe rrethanore, që i ka lidhur personat me krimin që e kanë bërë. Kemi zbuluar mjetin, motivin”, ka thënë ajo.
Pasditen e 26 nëntorit të vitit 2021, tre persona kanë mbetur të vdekur në Gllogjan pas të shtënave me armë në drejtim të një autobusi.
I njëjti ishte duke bartur nxënës nga Gjakova për në Gllogjan, prej të cilëve, dy mbetën të vdekur. Njëherit, ishte edhe shoferi i autobusit ai që humbi jetën. Shoferi, Gani Gjokaj dhe nxënësit Ledion Hamzaj e Gentiana Mustafaj.
Lidhur me rastin, katër persona ishin arrestuar.