Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur sot aktakuzë kundër 18 personave, për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit, për subvencionet që ka ofruar ministria e Bujqësisë në komunën e Istogut.
11 prej të pandehurve janë persona zyrtar dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, ”Marrje e ryshfetit” nga neni 421 i KPRK-së dhe “Mashtrimi në detyrë” nga neni 419 i KPRK-së, ndërsa 7 të tjerë janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale “Mashtrim me subvencione” nga neni 324 i KPRK-së.
“Vlera e përfituar nga vepra penale marrje e ryshfetit sipas aktakuzës është rreth shtatëmbëdhjetë (17.000) euro, kurse dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës është rreth njëqindmijë (100.000) euro”, thuhet në njoftim.
Në aktakuzë, Prokuroria ka rekomanduar konfiskimin e një banese dhe rreth 20 mijë euro para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhrin për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.
“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e lartcekur kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë”, thuhet tutje në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen për veprat penale që dyshohen.