Prokuroria Themelore e Prizrenit sot ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve, I.H dhe A.S për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”, nga i cili aksident vdiqën tre të rinj.
Në këtë aksident i cili ndodhi më datë 16.12.2023, ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N. B., M. D. dhe L. S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës ilegale.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A. S., dhe I. H., të cilët gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Aktualisht të akuzuarit gjenden në paraburgim.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit A.S., dhe I.H., me datë 16.12.2023 rreth orës 22:30, në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në Prizren, saktësisht në kilometrin e pesëmbëdhjetë (15) të saj nga aksi rrugor ‘Prizren-Veri’ në drejtim të aksit rrugor ‘Prizren Jug’ ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, në bashkëkryerje veprojnë në kundërshtim me Ligjin nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se sipas aktakuzës i pandehuri i parë, A.S. me automjetin A rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, derisa i pandehuri i dytë, I.H. me automjetin B rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës.
“Duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre, me një shpejtësi dukshëm më të madhe në raport me shpejtësinë e lejuar, i akuzuari i parë humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin C, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës, gjegjësisht viktimat: N.B., M.D., dhe L.S., dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarve: M.Z., dhe B.P., si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme”, thuhet tutje në njoftim.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokuroria i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.