Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale E.D., shtetas i Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I dyshuari thuhet se aktualisht gjendet në paraburgim.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.D., me datë 22.02.2024, rreth orës 17:00 në fshatin Vërmicë – Komuna e Prizrenit, me qëllim të shitjes, pa autorizim importon substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që së bashku edhe me një person tjetër (deri më tani të paidentifikuar), futen ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve malore, të cilët kapen në flagrancë nga Policia Kufitare e Kosovës dhe fillojnë të ikin në drejtim të fshatit Vërmicë, me ç’rast pasi i njëjti arrin të arrestohet nga ana e policisë, në vendin e ngjarjes gjenden dhe sekuestrohen dy çanta të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë në peshë të përgjithshme (neto) prej 31,596.54 gramë, të cilat çanta të njëjtit i kishin bartur në shpinë, si dhe pas kontrollit të automjetit të markës ‘’Fiat Croma’’, të cilin e kishte drejtuar i pandehuri në fjalë, është gjetur dhe sekuestruar një qese plastike e mbushur me substancë narkotike të llojit kokainë në peshë të përgjithshme (neto) prej 49.78 gramë, të cilat substanca narkotike kanë qenë të destinuara të vihen në qarkullim për shitje dhe shpërndarje të paautorizuar brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me këto veprime i pandehuri E.D., thuhet se ka përmbushur elementet e veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” sipas KPRK-së.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.