Ramadan Beshiri, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në “Debat Plus”, ka thënë se një nga arsyet e refuzimit të kandidaturës për kryetar të degës në Mitrovicë, është qëndrimi i tij kundër kandidaturës së Agim Bahtirit në zgjedhjet e fundit lokale.
Sipas tij, nën qeverisjen lokale të Agim Bahtirit ka pasur parregullsi me privatizime dhe me konkurse publike.
Ai bëri të ditur se pakënaqësitë e tij ia ka kumtuar edhe ish-kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
“Na ka kushtuar qëndrimi kundër kandidaturës së Agim Bahtirit për Komunën e Mitrovicës, për arsye parimore. Në komunën e Mitrovicës, janë manipuluar konkurset, janë privatizuar pronat lokale. Ne jemi rritur që ta mirëmbajmë konceptit politik, ne kemi dalë kundër kandidaturës së Agim Bahtirit për arsye parimore”, ka thënë ai.
Një arsye tjetër, sipas tij, të cilën ka thënë se ia kanë kumtuar disa miq të tij, është arsyeja se ai është “islamik”.
Në pyetjen se a do ta votonte projekt-kodin civil, Beshiri ka thënë se nenin për martesat e gjinisë së njëjtë nuk do ta votonte.
“Një arsye tjetër ma kanë thënë që kam qenë islamik. Unë jam besimtar nuk e cenoj besimin e askujt tjetër. Momentalisht mundem të flas vetëm sociolog… Për nenin e caktuar do të votoja kundër. Kjo është bindja ime personale, dhe na lejon bindja jonë personale”, ka thënë ai.
Beshiri ka thënë se në zgjedhjet e fundit lokale nuk e ka përkrahur kundërkandidatin e Agim Bahtirit, Bedri Hamzën.
Tutje, Beshiri ka thënë se qendra e LVV-së në Prishtinë, është duke i favorizuar kandidatët e tyre të preferuar për t’i bërë kryetar të degëve në komuna.
Ai ka thënë se aktivistja e LVV-së në Shqipëri, Dejona Mihaili, ka rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e kryetarëve të degëve.
Beshiri është shprehur se në Komunën e Prishtinës, është duke u favorizuar deputeti Armend Muja, i cili po përkrahet, sipas tij, nga qendra.
Ai theksoi se Muja pritet të jetë kandidati i vetëm për kryetar të degës në Mitrovicë, për arsye se, sipas tij, i janë eleminuar kundërkandidatët.
“Filloi hendeku duke u larguar, për shkak se ai u emërua si koordinator, një grup jogjithpërfshirës, ne e ngritëm prapë kritikën, zëri jonë mbeti jetim. Nuk mbeti instrument tjetër që të kërkojmë përveç se të kandidojë”.