Aktivistja Anita Mjeku ka thënë se studentët po kërkojnë përgjegjësi për ngacmimet seksuale, për të cilat profesori i Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, po akuzohet.
Në emisionin “Rreth e Rrotull”, në RTV Dukagjini, Mjeku ka thënë se Këshilli i Etikës është i njëanshëm.
Megjithatë, ajo thotë se aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore nuk do të zmbrapsen, pavarësisht “dhunës policore” që po përdoret për largimin dhe pengimin e tyre gjatë protestës që ato kanë zhvilluar.
“Kemi pritur dje që Këshilli i Etikës kanë me marrë vendim, por e pamë që gjatë intervistimit të Krasniqit ata ishin të njëanshëm, ata e kanë dëgjuar rreth një orë e gjysmë duke mbajtur ligjërata rreth matematikës dhe si i vlerëson studentet, dhe në asnjë moment nuk e kanë ndërprerë për t’i thënë se ti ke bërë ngacmim seksual… kur i kanë intervistuar vajzat të cilat kanë qenë dëshmitare të ngacmimit seksual nga Krasniqi, u është dhënë nga 10 minuta kohë edhe Këshilli i Etikës nuk po na intereson për gjendjen tuaj emocionale. Ishim të revoltuar për shkak mosvendimit, ua bllokuam derën, e thirrën policinë për të intervenuar… por është hera e katërt që policia na largon me dhunë prej aty e neve dhuna policore nuk guxon e as nuk do të na zmbrapsë”, tha ajo.
Po ashtu, ajo ka njoftuar se këtë të martë aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore e kanë bërë një aksion te dera e zyrës së Krasniqit, duke e bërë të pamundur largimin e tij nga ajo hapësirë.
“Rezistenca jonë do të përshkallëzohet sot, aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore e kanë bërë një aksion te dera e zyrës së Krasniqit, ku ua kemi bllokuar dyert me shirita… pasi sipas deklaratave të vajzave, pothuajse të gjitha ngacmimet kanë ndodhur në atë zyrë, ku ai ua ka mbyllur derën dhe ka tentuar t’i përqafojë me zor…”.
Ajo potencon se aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore konsiderojnë që Krasniqi përbën rrezik për të gjitha vajzat dhe gratë, derisa i njëjti vazhdon të jetë pjesë e Universitetit.
“Krasniqi nuk e ka vendin në Universitet të Prishtinës. Konsiderojmë që ai përbën rrezik për krejt vajzat dhe gratë përderisa vazhdon të jetë pjesë e UP-së. Mjetet tona kanë me u përshkallëzu, sa herë që të mblidhet Këshilli i Etikës, ne do të jemi aty, por jemi në diskutime e sipër për t’i përdorur mjetet e tjera të protestës të cilat i kemi në dispozicion. Pa u marrë vendimi për Krasniqin, ne nuk do të zmbrapsemi. Çka tha Krasniqi në Këshill të Etikës është që të gjitha shprehjet komplimentuese janë shpifje. Nuk janë shprehje komplimentuese, por është ngacmim seksual”, shtoi ajo.