Pasi edhe protestat e dhunshme nuk dhanë rezultat, serbët e katër komunave veriore tani i janë kthyer formës së ligjshme në interesimin për t’i larguar kryetarët shqiptarë të komunave nga pozitat e tyre.
Këtë e kanë bërë duke iu referuar udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, i miratuar së voni nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Megjithatë aty parashihen të gjitha procedurat e, të cilat, sipas kryesuesit të Kuvendit, nuk janë respektuar.
“Kanë gabuar më së pari që nuk e kanë njoftuar kryesuesin e Kuvendit tri ditë para për iniciativën për inistiativën për peticionin. Edhe pastaj me kërkesë me u lajmëru që do të nisë peticioni.”, ka thënë Nexhat Uglanjin, kryesues i Kuvendit Komunal.
Shembullin e 10 të interesuarve në këtë komunë e kanë ndjekur edhe serbët në Zubin Potok. Këtë e ka konfirmuar kryetari aktual.
“Kanë bërë një iniciativë ata me e taku dikë prej kabinetit, mirëpo kjo nuk ka të bëjë me kabinetin e kryetarit, duhet me shku te kryesuesi i Kuvendit, dhe përmes Kuvendit ata me këqyrë qysh shkojnë këto procedura”, ka thënë Izmir Zeqiri, kryetari i Zubin Potokut.
Edhe Zeqiri edhe Ugljanin këto iniciativa i vlerësojnë politike dhe me shumë të panjohura.
Nuk dihet nëse edhe kryetari i Leposaviqit e ndan mendimin e njëjtë, por edhe serbët në komunën të cilën ai e udhëheq gjatë ditës janë interesuar për shkarkimin e tij.
“Po, po, ka pasur, aktivitet për peticion, por diçka informata shtesë nuk është që kemi marrë.”, ka thënë asistentja e kryetarit të Leposaviqit, Festina Musliu.
Vetëm nga komuna e Zveçanit nuk kanë treguar nëse edhe aty ka pasur iniciativë të tillë.
Se ka interesim që të nisë procesi i shkarkimit të kryetarit e kanë pranuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët thonë se do t’i trajtojnë kërkesat.
“Mund t’ju konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtarë, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund t’ju them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’ju informojmë për këtë.”, ka thënë Valmir Elezi nga KQZ-ja.
Sipas udhëzimit administrativ, grupi nismëtar prej tre personash, para se të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve, duhet të njoftojë kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe mund të njoftojë KQZ-në.
Pastaj Kryesuesi njofton kryetarin e komunës, MAPL-në dhe KQZ-në.
Jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i njoftimit, kryesuesi e shqyrton kërkesën, në rast të dështimit grupi nismëtar kërkon nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe e regjistron si palë të autorizuar.
Në rast se kjo iniciativë mbështet nga 20% e votuesve, atëherë i hapet rrugë votimit direkt për shkarkim, i cili kërkon 50% plus 1 votë të qytetarëve që kanë të drejtë vote.