Akuza e kundërakuza në Odën e Avokatëve të Kosovës

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka njoftuar se prokurori disiplinor, Rexhep Veseli, është kanosur përmes email-it nga kryetari i degës regjionale në Prishtinë, avokati Nasuf Hasani. Kërcënimi ka lidhje me detyrat zyrtare të Zyrës së Prokurorit Disiplinor. Kurse, në një bisedë me Dukagjinin zvokati Hasani ka akuzuar prokurorin Veseli për amnistimin e kryetarit të OAK-ut, Behar Ejupi, për shkelje të pretenduara. Kurse për Dukagjinin prokurori Veseli dhe kryetari Ejupi përmes zyrtarit për komunikim në OAK, Besim Abdullahu, mohojnë akuzat dhe shprehen se çështjet duhet të adresohen në organet kompetente

Akuza e kundërakuza në Odën e Avokatëve të Kosovës (Ilustrim)

Gjatë ditës së mërkurë, Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka njoftuar se prokurori disiplinor i këtij institucioni, Rexhep Veseli, është kanosur përmes email-it nga kryetari i degës regjionale në Prishtinë, avokati Nasuf Hasani.

OAK-u ka bërë të ditur se kanosja ka të bëjë me punën dhe detyrat zyrtare të Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

“Prokurori Disiplinor i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Rexhep Veseli, me tu paraqitur sot në punë, ka kuptuar se në e-mailin e tij zyrtar ka arritur një e-mail (në ora 01:14 min pas mesnatës) nga avokat Nasuf Hasani, i cili mban pozitën e Kryetarit të Degës Regjionale në Prishtinë, përmes së cilës është kanosur dhe se kjo e-mail ka përmbajtje kërcënuese serioze”, thuhet në njoftim.

Këtë e-mail Dukagjini e ka siguruar përmes burimeve të saj.

E për këtë, Dukagjini ka kontaktuar me avokatin, Hasani, i cili e ka akuzuar prokurorin Veseli se e ka amnistuar kryetarin e OAK-ut, Behar Ejupi, për “shkeljet” që i kryen.

Kështu, sipas Hasanit, Veselit i është ngritur paga prej 2 koeficienteve dhe se ka përfituar mëditje nga buxheti i OAK-ut në mënyrë të kundërligjshme.

“Ne Raportin Financiar të Këshillit Mbikëqyrës të OAK-së (faqe 13 pika 2), shprehet se Rexhep Veseli ka përfituar mëditje te cilat nuk janë në kuadër të kontratës së punës së tij”, ka thënë Hasani.

Raporti Financiar për vitin 2023: Gjetjet e Këshillit Mbikëqyrës tek shpenzimet e organeve të OAK-së, faqe 13 pika 2 dhe 4, ku Hasani i bazon pretendimet e tij.

Kështu Dukagjini ka kontaktuar me dy të apostrofuarit nga Hasani, kryetari Ejupi dhe prokurori Veseli, të cilët të dy na kanë drejtuar te zyrtari për komunikim në OAK, Besim Abdullahu.

“I nderuar, si palë në procedurë nuk do deklarohem, për gjithçka kontaktoni zyrën për informim të OAK”, ka thënë Veseli.

Gjithashtu, edhe Ejupi teksa mohoi akuzat e avokatit Hasani na drejtoi te Abdullahu, zyrtari për komunikim në OAK.

Por, gjithashtu, e ka dhënë një pjesë të versionit të tij në lidhje me ngjarjet në fjalë.

“Nuk jam në nivel m’u marrë me kryetarin e degës së Prishtinës, për shkak se unë jam organ, i përfaqësoj të gjithë avokatët e Republikës dhe duhet të jem korrekt më të gjithë avokatët dhe jo vetëm zotin Hasani. Zoti Hasani nuk është problem që ka vetëm me Beharin si kryetar ka edhe më tjerë. Për pjesën tjetër të lutëm kontaktoje zyrtarin për komunikim… Prokurori Disiplinor shumë qartë i ka thënë unë nuk jam kompetent me kontrollu kryetarin e odës… Ndërsa prokurori disiplinor ka të drejtë t’i ndjekë apo të zhvillojë procedurë për të gjithë avokatët në nivel Republike, ai ka mundësi edhe për Behar Ejupin më zhvillu procedurë si avokat, por, jo për kryetarin e Odës. Unë i raportoj vetëm Kuvendit të Odës. Nuk i raportoj Këshillit Drejtues, as organeve të tjera me përjashtim të Kuvendit që është organi më i lartë në kuadër të Odës. Dhe këtu unë dyshoj që problem zoti Hasani me i kuptu këto dallime, me qenë pjesë e organit të Odës dhe me qenë vetë organi”, ka thënë Ejupi në një bisedë me Dukagjinin.

Më tej, Ejupi pretendimet e avokatit Hasani i sheh si inate nga humbja që ka pasur për pozitën e kryetarit të OAK-ut.

“Sa i përket çështjes së keqpërdorimeve, unë jam në nivel detyre. Ne kemi auditor të brendshëm dhe të jashtëm. Unë e kam pasur kundërkandidat zotin Hasani, dhe ai njëri prej tyre që ka pësuar një humbje të thellë prej meje, i ka marrë diku 18 ose 19 vota, ndërsa unë 45 prej krejt delegatëve edhe është problem i tij që nuk pajtohet që katër vjet që ka pësuar humbje. Dhe tash mundohet ta bëjë një politikë që nuk është fer, por tash unë si kryetar duhet të tregoj respekt për krejt anëtarësinë…”, ka thënë Ejupi.

E zyrtari për komunikim në OAK, Abdullahu i ka sqaruar pretendimet e Hasanit se prokurori Veseli është shpallur jokompetent në shkeljet që kryetari i Odës i bën, në këtë rast Behar Ejupi.

“Me lejoni të ju njoftoj se prokurori disiplinor në OAK ka kompetenca për shqyrtimin/inicimin dhe zhvillimin e hetimeve për te gjitha pretendimet për shkeljet etike te avokateve (sipas fletëparaqitjeve te palëve dhe ex officio) mbi bazën e të cilave vepron, por nuk ka kompetenca që të ndërmarrë veprime për punën e organeve të Odës, (siç është organ në OAK kryetari), sepse organet e tilla për punën e vet konform Statutit i përgjigjen vetëm Kuvendit të OAK-se. Ka dallim të jesh pjese e organit dhe të jesh organ në vete”, ka thënë Abdullahu.

Ndërsa, akuzës tjetër të Hasanit se në Raportin Financiar për vitin 2022 të Këshillit Mbikëqyrës të OAK, se “është hasur tek shpenzimet e udhëtimeve zyrtare raste kur vlera e tyre totale e ka kaluar shumën prej 3000 euro. Udhëtimet që kanë kaluar këtë vlerë janë udhëtimi në Lituani në vlerë prej 3,156.08 Euro”.

Raporti Financiar për vitin 2023: Gjetjet e Këshillit Mbikëqyrës tek shpenzimet e organeve të OAK-së, faqe 13 pika 2 dhe 4, ku Hasani i bazon pretendimet e tij.

“Sa i përket çështjes së raportit të Këshillit Mbikëqyrës, ai raport është miratuar dhe askund nuk figuron asnjë shkelje në OAK. Interpretimet me konotacione të ndryshme mund të bëhen, por nuk ka asnjë shkelje financiare për çka edhe është aprovuar raporti financiar në Kuvendin e fundit të OAK-së”, ka shtuar Abdullahu.

Raporti financiar mujor për periudhën 01 maj deri 31 maj 2022: Pasqyra e të hyrave dhe shpenzimeve maj 2022. Shpenzimet për udhëtimin në Lituani që lidhet me gjetjet e Këshillit Mbikëqyrës tek shpenzimet e organeve të OAK-së, faqe 13 pika 4.

Avdullahu ka thënë se “akuzat” e Hasanit duhet të adresohen në organet kompetente.

“Pavarësisht të sipërcekurave, të gjitha akuzat/pretendimet e tilla vlerësojmë se duhet të adresohen në rrugë institucionale tek organet kompetente dhe se OAK dënon ashpër gjuhën kërcënuese dhe joetike të z. Hasani kundrejt prokurorit disiplinor te OAK-së”, ka përfunduar ai.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika