Aktualisht Kosova nuk ka asnjë kontratë lobimi në SHBA. Është urgjente që qeveria e re të ndërrojë qasjen karshi administratës amerikane dhe të investojë seriozisht në lobim e diplomaci.
Imer Mushkolaj
Djali i madh i presidentit amerikan Donald Trump Jr. vizitoi Serbnë dhe u takua me Aleksandër Vuçiqin. Ai e intervistoi presidentin serb për “podcastin” e tij, por bëri edhe deklarata të rrezikshme për Kosovën. Sipas tij, është e pabesueshme se grupe si NATO kishin një pikëpamje shumë të ndryshme mbi integritetin territorial kur bëhej fjalë për Serbinë dhe Kosovën, krahasuar me qëndrimin e tyre ndaj Ukrainës. Duke shpjeguar vendndodhjen e Serbisë në Europë, Trump Jr. shfaqi një hartë në të cilën Kosova ishte pjesë e Serbisë. Ndërkaq, duke folur për shpërbërjen e Jugosllavisë, djali i presidentit amerikan tha se bombardimet e NATO’s në Serbi kanë ndodhur si shpërqendrim nga skandali i presidentit Bill Clinton me Monica Lewinskyn.
Në bisedë me Trump Jr. Vuçiq shfrytëzoi narrativën për të akuzuar Bill Clintonin dhe Europën se bombarduan Serbinë duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare, narrativë e njëjtë që po e shfrytëzon Rusia për pushtimin e Ukrainës.
Në një artikull, gazeta “New York Times” shkroi se Trump Jr. e përdori vizitën si një mundësi për të shprehur mbështetjen e tij për Vuçiqin – një udhëtim me ndoshta përzierjen më eksplicite deri tash në mandatin e dytë të presidentit Trump, të politikës së jashtme të SHBA’së dhe interesave financiare të familjes Trump.
Marko Gjuriq, ministër i Jashtëm i Serbisë, tha se vizita e djalit të presidentit amerikan “siguron një moment të madh për një fillim të shkëlqyer të marrëdhënieve me administratën e re”.
Vizita e Trump Jr. dhe qassja e tij ndaj presidentit serb u kritikua nga njerëz në SHBA dhe jo vetëm. Virginia Canter, ish-këshilltare etike në Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha se ai, si zëvendësues i babait të tij, po përdor zyrën publike të presidentit të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar presidentin e Serbisë të qëndrojë në detyrë, duke çuar më tej interesin financiar personal të familjes Trump. Sipas saj, kjo është joetike dhe fyese.
* * *
Në Kosovë nuk është se u morën shumë me këtë ndodhi. Në pritje të numërimit, rinumërimit, stërnumërimit të votave dhe certifikimit të zgjedhjeve, askush nga politika nuk denjoi ta thotë ndonjë fjalë. Dikush mund të thotë se fjalët dhe veprimet e të birit të presidentit amerikan nuk janë të rëndësishme, pasi që ai nuk përfaqëson shtetin amerikan. Por, marrë parasysh mënyrën sesi funksionon dhe qeveris Donald Trump – një miks o politikës me biznesin – atëherë është e rëndësishme të paktën të diskutohet dhe, pse jo, të reagohet për një lëvizje të tillë.
Është e papranueshme të reduktohet intervenimi i NATO’s në interesin për mbulimin e skandalit seksual të presidentit Clinton. Dhe, po ashtu, është e rrezikshme të thuhen deklarata të tilla në një kontekst të ri gjeopolitik, me një qasje të paparashikueshme të administratës së re amerikane.
Donald Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, e bashkë me të edhe shqetësimet se çfarë mund të ndodhë me Kosovën gjatë mandatit të tij të dytë. Rikthimi i tij e ka gjetur të papërgatitur Kosovën në aspektin e lobimit. Aktualisht Kosova nuk ka asnjë kontratë lobimi në SHBA. Deri më tash, zyrtarë politikë të Kosovës vetëm kanë kërkuar vazhdimin e mbështetjes amerikane, por nuk kanë bërë gjë as për lobim, as për krijimin e partneriteteve strategjike. Gjithçka e kanë bazuar në diplomaci konvencionale, ndërkohë që për mirëmbajten e raporteve me administratën e re kaq nuk është e mjaftueshme. Në anën tjetër, Serbia është e pozicionuar mirë në zhvillimet e reja gjeostrategjike dhe aktualisht ka pesë kontrata aktive lobimi në SHBA.
Deri më tash komunikimi i vetëm zyrtar i presidentit Donald Trump me Kosovën ka qenë një letër urimi për përvjetorin e pavarësisë, dërguar presidentes Vjosa Osmani, pak kohë pasi i dërguari i tij për misione të veçanta, Richard Grenell, kritikoi qeverinë kosovare duke thënë se SHBA’së i duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërkaq qeveria e Albin Kurtit nuk është e tillë. Është urgjente që qeveria e re të krijohet shpejt dhe të ndryshojë qasjen ndaj administratës amerikane. Një hap rëndësishëm mund të jetë edhe shtimi i diplomatëve të angazhuar në SHBA.