Pas njoftimit se në kampusin universitar përkatësisht në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Prishtinës është vendosur një bombë, Policia e Kosovës ka njoftuar se i njëjti ka rezultuar alarm i rremë.
Kështu ka bërë të ditur për Portali Dukagjini, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata ka rezultuar të jetë e rrejshme, andaj me urdhër të prokurorit është iniciuar rast Lajmërim apo kallëzim i rremë”, ka thënë ajo.
Ndryshe, policia kishte njoftuar se rreth orës 19:30 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Kompleksin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën.
Rastet e ngjashme nuk po rezultojnë të jenë të rralla në Kosovë.
Të enjtEn e 16 qershorit në orët e pasdites, është paralajmëruar për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Lajmin për RTV Dukagjini e ka konfirmuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka qenë në gjendje gatishmërie për ta trajtuar këtë rast ku ka dalë në vendin e ngjarjes me njësitin K-9.
“Bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qen (K-9)”, thuhej në komunikatë.
Po ashtu, Policia e Kosovës më 17 maj ka rrethuar Rektoratin e Universitetit të Prishtinës mbi dyshimin për prezencën e mjeteve shpërthyese.
E informuar në orën 16:00, Policia e Kosovës së bashku me Njësitë Antibombë kanë rrethuar vendin e ngjarjes dhe, gjithashtu, edhe rrugën përgjatë Bibliotekës Kombëtare.
Lajmin për RTV Dukagjini e ka konfirmuar edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti.