Përballë Qeverisë së Kosovës, partia Socialdemokrate (PSD) ka ndërmarrë një aksion duke zëvendësuar flamujt e shtetit të Kosovës me një flamur të cunguar, i cili në hartën e Kosovës ka të theksuara me ngjyrë të bardhë pjesët, që sipas tyre, i përfshin Asociacioni dhe ka vetëm dy yje.
I pari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe i pranuar nga Kurti, e zhbën pavarësinë dhe Republikën e Kosovës.
Sipas tij, flamuri i Kosovës do t’i ketë vetëm dy yje dhe do t’i paraqesë vetëm dy etni, shqiptarët e serbët dhe një konflikt të vazhdueshëm mes tyre.
“Asociacioni të Komunave më shumicë serb i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në thelb zhbën republikën e 17 shkurti, të shpallur si shtet të pavarur, qytetar dhe multientik. Nga sot jo vetëm që që e zhbën republikën si koncept, ku qytetarët janë të barabartë, pa dallim etnie e kombësie, ani siç e dini, zhduket edhe barazia mes qytetarët, si e dini kanë qenë të shprehur edhe në simbolet e shteti të Kosovës, përmes yjeve, secili yll e ka përfaqësuar një etnie në këtë shtet. Nga sot, edhe flamuri i Kosovës nuk mund të jetë i njëjti. Paraqet një realitet të hidhur dhe të dëmshëm për Kosovën dhe të reduktohet”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka bërë të ditur se aksionet tyre do të përshkallëzohen dhe do të kenë edhe protesta.
Ndër të tjera, Molliqaj ka ritheksuar se Kurti ka themeluar një konfederatë të brendshme mes shqiptarëve dhe serbëve.
“Nga sot, flamuri i Kosovës i ka vetëm dy yje që i përfaqësojnë dy etnitë, e që në fakt përfaqësojnë thelbin, fillimin e konfliktit të vazhdueshëm që do të kemi mes vete. Nga republikë qytetare, në republikë e cila ndahet në dy etni e në konflikt të vazhdueshëm… Kemi themeluar një konfederatë të brendshme mes shqiptarëve dhe serbëve, pa pajtimin qytetar. Aksionet tona do të përshkallëzohen, do të kemi edhe protesta”, ka thënë Molliqaj para mediave.
Më tej, Molliqaj ka theksuar se kryeministrin Albin Kurti, tash e tutje duhet ta quajmë “Albin Zajednica”.