Në ndeshjen e mbrëmshme ndërmjet Kosovës dhe Andorrës, në kualifikimet për turneun Euro 2024, sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, është përballur me një lëndim serioz.
Gjatë ndeshjes, ai është lënduar rëndë në kyçin e këmbës së djathtë dhe ka nevojë për operacion të menjëhershëm.
Pas lëndimit, siç ka njoftuar FFK-ja, Rrahmani është dërguar në spitalin e qytetit të Andorra La Vella për të bërë ekzaminime mjekësore më të thelluara.
Rezultatet e ekzaminimeve kanë treguar se ai ka pësuar një frakturë të kyçit të këmbës së djathtë. Sipas mjekëve, operacioni është i nevojshëm.
Të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi i Kombëtares së Kosovës janë të prekur nga lëndimi i Albionit dhe shprehin solidaritetin e tyre me të.
“Të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi i Kombëtares kanë qenë të prekur nga lëndimi i Albionit, por presin që ai ta kalojë sa më shpejt periudhën e rehabilimit dhe të kthehet edhe më fuqishëm për ta treguar talentin e tij në skenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Federata e Futbollit e Kosovës, siç thuhet në njoftim, është e përkushtuar që të kujdeset për shëndetin dhe mirëqenien e Albionit. Ajo do të bashkëpunojë ngushtë me klubin e tij, Rapid Bukuresht dhe me ekspertët mjekësorë për të siguruar që operacioni dhe periudha e rehabilitimit të Albionit të jenë sa më të suksesshme.
Kosova ka marrë fitoren e parë në kualifikimet e Euro 2024, duke triumfuar 3-0 në udhëtim te Andorra, në kuadër të Grupit I