Pas largimit të Ermal Krasniqit në janar, Ballkani mund të mbetet edhe pa njërin prej futbollistëve kryesor.
Fjala është për golashënuesin më të mirë të sezonit 2022/23 në Superligën e Kosovës, Albion Rrahmani.
Siç ka marrë vesh RTV Dukagjini, Dinamo Zagreb dhe një skuadër nga elita e futbollit holandez kanë shprehur interesim për 22-vjeçarin.
Për Rrahmanin janë të interesuara edhe disa klube të tjera nga Europa, por burimet e televizionit kanë thënë se dy skuadrat e lartcekura janë më afër për të siguruar shërbimet e tij.
RTV Dukagjini mëson gjithashtu se sulmuesi nga Podujeva kishte refuzuar edhe një ofertë nga një skuadër ukrainase, teksa kishte qenë pranë transferimit në janar te një klub çek.
Albion Rrahmani konsiderohet si një nga zbulimet e viteve të fundit në futbollin kosovar.
Paraqitjet e tij ishin të mrekullueshme në garat evropiane edicionin e kaluar.
Ai kishte shënuar shtatë gola në gjashtë ndeshje në kualifikimet e Conference League.
Megjithatë, në fazën e grupeve nuk kishte arritur të gjejë rrugën drejt rrjetës, por kishte dhuruar dy asistime.
Rrahmani vazhdoi të jetë vendimtar për Ballkanin edhe në Superligë.
Ai u shpall golashënuesi më i mirë me 20 gola. ‘Lewandowski’ mori ftesë edhe nga Kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e para të kualifikimeve për Kampionatin Europian në muajin mars.
Para se të transferohej te Ballkani, Albion Rrahmani kishte shkëlqyer te Malisheva në Ligën e Parë gjatë sezonit 2020/21.
Ndryshe, përveç tij nga skuadra suharekase mund të largohen edhe Lindon Emërllahu, Nazmi Gripshi dhe Meriton Korenica.