Albulena Haxhiu: Pak prokurorë merren me krimet e luftës; vetingun e mbyllim brenda dy vjetësh

Krijimi i Gjykatës Komerciale, emërimi i bashkëshortit si këshilltar i Jashtëm i ministrit Elbert Krasniqit, Procesi i Vettingut, numri i vogël i prokurorëve të angazhuar në krimet e luftës e vizita në Hagë, janë disa nga temat rreth të cilave ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për Portalin Dukagjini

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Blic Interview për RTV Dukagjinin

Të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet biznesore do të jenë kompetencë e Gjykatës Komerciale.

Gjykata Komerciale tashmë, zyrtarisht, ka filluar punën. Kjo gjykatë ka nisur të pranojë lëndët e para.

Mbi tetë mijë lëndë janë transferuar në Gjykatën Komerciale. Kështu ka bërë të ditur për Portali Dukagjini, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kjo gjykatë do të funksionojë si gjykatë e specializuar, e ndarë në dy shkallë (Themelore dhe të Apelit), kompetente për gjykimin e kontesteve për çështjet komerciale dhe administrative në çështje komerciale, si dhe do të trajtojë kundërshtimet dhe ankesat në procedurat përmbarimore.

Përmes një interviste me shkrim, ministrja e këtij dikasteri ka thënë se, gjashtë mijë lëndë i takojnë shkallës së parë, kurse pjesa tjetër i takon shkallës së dytë.

“Janë mbi tetë mijë lëndë që janë transferuar në Gjykatën Komerciale, ku më shumë se gjashtë mijë janë të shkallës së parë (Themelore), ndërsa pjesa tjetër në shkallën e dytë (atë të Apelit). Sipas asaj që kemi parë nga KGJK, regjistrimi i lëndëve tashmë ka filluar”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Rreth 900 mijë euro është buxheti që ka ndarë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për Gjykatën Komerciale.

Ndonëse për kryetarin e kësaj gjykate, Mahir Tutuli, ky buxhet i ndarë është i pamjaftueshëm, ministrja e Drejtësisë ka thënë se do të bëjë përpjekje që në vazhdimësi të rritet mbështetja për këtë gjykatë.

Ajo ka thënë “kryetari i Gjykatës Komerciale, ankesat e tilla, duhet t’i adresojë pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe institucionet bashkë me Këshillin do t’i adresojnë të njëjtat”.

“Ministria e Drejtësisë ka trajtuar me kujdes të veçantë dhe me prioritet themelimin e Gjykatës Komerciale. Sa i përket çështjes së buxhetit, ne do të bëjmë përpjekje që në vazhdimësi të rritet mbështetja për Gjykatën Komerciale, në konsultim me Këshillin Gjyqësor dhe duke u koordinuar me Ministrinë e Financave”, ka shtuar ajo.

Ashtu siç parashihet me ligj, kjo gjykatë duhet të ketë minimum 20 gjyqtarë, kurse deri më tani janë rekrutuar, gjithsej, 11.

Ndryshe, Gjykata Komerciale ka funksionuar edhe më herët në Kosovë, deri më një janar të vitit 2013.

Atëkohë, ishte rekomanduar që të kalohet në sistemin aktual të gjyqësorit dhe të ketë një departament të specializuar për çështje ekonomike brenda Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Krijimi i Gjykatës Komerciale ishte paralajmëruar edhe nga ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në Qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Që nga viti 2017, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurat për themelimin e kësaj gjykate, që parashihet të jetë adresa e vetme për palët që kanë konteste të natyrës ekonomike.

Numri i vogël i prokurorëve të angazhuar në krimet e luftës

Që nga viti 1999 deri më sot janë dënuar, gjithsej, 67 persona, nga të gjitha institucionet gjyqësore në Kosovë, Serbi, Hagë dhe Mal të Zi.

Aktualisht, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës janë vetëm katër prokurorë, të cilët janë duke punuar për trajtimin dhe hetimin e rasteve të krimeve të luftës, gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy përkthyes, të cilët do të merren ekskluzivisht vetëm me krimet e luftës.

Në këtë intervistë, ministrja Haxhiu ka theksuar se Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është finalizuar dhe ka kaluar të gjitha fazat e konsultimeve.

Projektligji është dërguar në Qeveri për miratim. Pas miratimit të këtij Projektligji në Qeveri, ai do të dërgohet për miratim në Kuvend.

Qëllimi i themelimit të Institutit është dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, ka thënë Haxhiu.

Gjatë vitit 2021, MD-ja kishte ndarë buxhetin shtesë për Këshillin Prokurorial të Kosovës për rekurtimin e katër prokurorëve, gjashtë bashkëpunëtorëve dhe dy përkthyesve.

“Ministria e Drejtësisë, marrë parasysh rëndësinë e trajtimit të rasteve të krimeve të kryera gjatë luftës, krahas punës për themelimin e Insitutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, vitin e kaluar ka ndarë buxhetin shtesë për KPK për rekrutimin e katër prokurorëve, 6 bashkëpunëtorëve dhe 2 përkthyesve”, ka shtuar ajo.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.

Dy persona pranë memorialit të të vrarëve në masakrën e Izbicës.

Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive të tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth një mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Procesi i Vettingut, sa pritet të zgjasë?

Më 18 qershor, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kishte bërë të ditur se ka marrë dritën e gjelbër për të filluar me procesin e vettingut dhe për të formalizuar punën e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar.

Ministrja Haxhiu kishte bërë të ditur se, në draft-opinionin për vettingun konstatohet nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi në konstatimet e Komisionit të Venecias.

Gjithashtu, rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet ligjore dhe kushtetuese në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar.

Sipas ministres, Komisioni rekomandon verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori, përmes një mekanizmi të jashtëm të niveleve të larta, duke filluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe nga kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorëve të prokurorive.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Komisioni i Venecias ka gjetur probleme të shumta në sistemin e drejtësisë, duke nisur nga mungesa e besimit, korrupsioni, nepotizmi dhe deri te përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit.

Haxhiu për Portali Dukagjini ka njoftuar se, ky proces do të duhej të përmbyllej brenda dy vjetësh.

“Komisioni i Venecias rekomandon themelimi e Mekanizmit të jashtëm për nivelet e larta të sistemit të drejtësisë ku përfshihen Këshillin Gjyqësor, Këshilli Prokurorial dhe kryetarët e gjykatave dhe prokurorive. Duke qenë kështu, konsiderojmë që ky proces përmes mekanizmit të jashtëm nuk do të duhej të zgjaste më shumë se 2 vite”, ka thënë ajo.

Po ashtu, sipas saj, Vettingu do të përfshijë prokurorinë dhe gjyqësorin ndërsa sa i përket vettingut në polici, ajo ka shtuar se është proces i ndarë për të cilin kompetente është Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndërkaq, të enjten e 14 korrikut, në seancën e Kuvendit të Kosovës është votuar në parim Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Për këtë projektligj, opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa 58 vota ishin për dhe 3 ishin abstenim.

Po ashtu, për këtë projektligj ka pasur diskutime të shumta në Kuvend, ku opozita kërkonte që projektligji për Byronë Shtetërore dhe Procesi i Vettingut të futen në një pako të përbashkët për reformë në drejtësi.

“Projektligji për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme tashmë gjendet në Kuvend dhe është votuar në parim. Ministria e Drejtësisë do të japë kontributin e saj me qëllim të përfshirjes së secilit rekomandim të Komisionit të Venecias sa i përket këtij projektligji”, ka thënë Haxhiu.

Emërimi i bashkëshortit si këshilltar i Jashtëm i ministrit Elbert Krasniqi

Alban Krasniqi, i është bashkuar ekipit të ministrit Elbert Krasniqit në pozicionin e këshilltarit të jashtëm politik.

Kjo u bë e ditur, vetëm pasi u bë publik në media, dokumenti i vendimit të punësimit të tij.

Haxhiu nuk ka pranuar të deklarohet sesa ka qenë e nevojshme fshehja e punësimit të bashkëshortit të saj.

Ministrja Haxhiu me bashkëshortin e saj

Vizita në Hagë

Të martën e 29 marsit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me një delegacion të kuvendit të Kosovës, në vizitën e saj në Hagë, janë takuar me të akuzuarit në Gjykatën Speciale, përveç ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarit të kuvendit, Kadri Veseli.

Pak kohë para nisjes drejt Hagës, Haxhiu kishte deklaruar se ndonëse vullneti i saj qëndron që të takohet me të gjithë ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët po akuzohen në Hagë, ajo nuk është pranuar për takim nga Thaçi e Veseli.

“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse Gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”, ishte deklaruar ministrja Haxhiu për RTV Dukagjini.

E pyetur se a do të ketë sërish një vizitë të re në Hagë, Haxhiu ka thënë se “nëse në të ardhmen vlerësojmë sërish si të nevojshme vizitën atje, patjetër që do ta realizojmë atë”.

Vizita e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Hagë

Megjithatë, sipas saj, për Qeverinë e Kosovës dhe për të si ministre e Drejtësisë, është tejet e rëndësishme të kuptohen trajtimet, nevojat dhe çështjet tjera që lidhen me këtë mandat.

Paneli i Gjykatës Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me paraburgimin të parashtruar nga ana e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po akuzohen për krime lufte.

Kur pyetet se a po shkelen të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së, Haxhiu ka theksuar “nuk kemi mandat që t’i komentojmë vendimet e tilla”.

“Ne kemi qenë përherë kritikë ndaj Gjykatës Speciale, që para se të themelohet ajo. Është e rëndësishme që të sigurohemi në të ardhmen të këtë një mekanizëm profesional që mbikëqyr punën e Gjykatës Speciale”.

Lidhur me trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së, ajo ka thënë se janë të angazhuar dhe vazhdojnë të përkushtohen që ato të jenë brenda standardeve më të mira.

“Sikurse ato që kanë të bëjnë me të drejtën për vizita dhe komunikim të rregullt me familjarët e tyre etj”, u shpreh ajo.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të cilët gjenden në Hagë, po akuzohen se ata kanë kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale në Hagë

Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020.

Ata po akuzohen se në mes të marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999, kishin kryer krime të luftës kundër njerëzimit, duke ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i keqtrajtuar, torturuar dhe zhdukur.

Pos tyre, në paraburgim po mbahen edhe Pjetër Shala e Salih Mustafa që së fundmi ka pasur seanca. Edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj si krerë të Organizatës së Veteranëve të Luftës, janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë nën akuzën për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare e frikësim gjatë procedurave penale.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika