Kombëtarja e Kosovës ka përfunduar fazën e fundit të përgatitjeve për ndeshjet miqësore në Yerevan të Armenisë, duke mbajtur seancën e fundit stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali.
Trajnimet janë bërë si pjesë e përgatitjeve për ndeshjet miqësore kundër Armenisë më 22 mars dhe Hungarisë më 26 mars.
Siç shkruan FFK-ja, përzgjedhësi Franco Foda ka kryer një punë intensive në aspektin taktik dhe transformimin e reparteve, duke u përqendruar në përgatitjen e ekipit për sfidat e ardhshme.
Fidan Aliti, një nga shtyllat e mbrojtjes, ka shprehur shpresën për rezultate pozitive në këto ndeshje miqësore.
Ai beson se ndeshjet, së bashku me ato në qershor, do të ndihmojnë në njohjen e filozofisë së trajnerit të ri.
Ai gjithashtu ka vlerësuar cilësinë e kundërshtarëve të ardhshëm, duke shtuar se fakti që Hungaria është në Kampionatin Evropian tregon për kualitetin e tyre.
Në anën tjetër, sulmuesi Albion Rrahmani, i cili ka pasur një periudhë të shkurtër mungese për shkak të lëndimit, është shprehur i lumtur që është pjesë e Kombëtares sërish.
Ai ka shprehur gatishmërinë për të dhënë maksimumin në fushë dhe ka vlerësuar rëndësinë e ndeshjeve miqësore për përgatitjen e ekipit për ndeshjet zyrtare në shtator, si dhe për të kuptuar taktikën e re të trajnerit.
“Jam shumë i lumtur që sërish jam pjesë e Kosovës, pas lëndimit të rëndë që kam pasur. Do ta jap 100 për qindëshin për Kombëtaren tonë. Janë ndeshje të rëndësishme, edhe pse janë miqësore. Do të na shërbejnë që ta njohim së më mirë trajnerin. Shpresoj që të dalim me rezultatet pozitive në mënyrë që shtatori të na gjejë sa më të gatshëm”, ka thënë Rrahmani.
Kujtojmë se, më 22 mars në Jerevan, Kosova luan një miqësore me Armeninë.
Ndërsa, më 26 mars në Budapest do ta ketë përballjen me Hungarinë.