Thatësirat dhe vërshimet janë diçka për të cilat duhet të përgatitemi si shtet, e që do të na përsëriten në dekadat që vijnë, kjo si pasojë e ndryshimeve klimatike. Kështu tha në një ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.
Ai ishte për vizitë në Pejë pas vërshimeve të mbrëmshme në këtë qytet. Ministri tha se situata atje është shumë e rëndë.
“Është vërtetë një gjendje e rëndë. Mbase u mbetet ekspertëve për të vlerësuar situatën, por nga ajo çka mund të them është se sasia e reshjeve ka qenë mjaft e lartë, gjë e cila është mjaft prezente këtë vit”, tha Aliu, duke shtuar se këto janë ndryshime të përgjithshme për të cilat duhet përgatitur.
Ai tha se në nivel vendi fatkeqësisht tek tani janë duke u punuar hartat e rrezikshmërisë, të cilat i identifikojnë vendet me potencial rreziku nga vërshimet, e që sipas tij mbase edhe vitet në vijim duhet të jenë gjithnjë e më prezentë.
“Thatësirat e vërshimet janë diçka që duhet të përgatitemi si shtet, pasi ato do të na presin në dekadat që vijnë, kjo si pasojë e ndryshimeve klimatike. Një faktor tjetër i cili ka luajtur një rol të madh në të dy rastet, në këtë kanal këtu dhe në një kanal tjetër që arritëm t’i shohim janë edhe ndërtimet në kanale që kanë bërë të mos këtë mundësi që të përthithet i gjithë uji dhe ka dalë jashtë”, tha ai.
Sipas tij, natyrisht që të gjitha këto mbeten të vlerësohen e pastaj edhe shkaktarët se si ka ardhur deri këtu dhe dëmet që janë bërë.
“Por është një gjendje alarmante. Pasi që t’i hartojmë këto harta të rrezikut dhe t’i identifikojmë vendet e tilla, do të ndërmarrim masat e duhura dhe do të bëjmë planet të cilat janë edhe përtej ministrive të veçanta”, tha tutje ministri.
Ai tha se duhet një bashkëpunim ndërministror që të mund të ketë reagime të duhura në nivel vendi.
“Gjatë vitit kemi bërë vizita në terren pas vërshimeve dhe kudo që shkojmë thonë që nuk mbahet mend që të ketë kësi lloj vërshimesh. Njëjtë ka qenë në Skenderaj, njëjtë këtu në Pejë. Ka pas vërshime për shkak të ndërtimeve, por niveli i tillë i ujit nuk ka qenë në të kaluarën. Duhet të kemi parasysh që ndryshimet klimatike që ndodhin e prekin edhe Kosovën. Ne do të kemi më pak ujë dhe do të kemi vërshime”.
Aliu tha se përpos planit të vërshimeve, janë duke punuar edhe në menaxhimin e ujërave. “Duhet të ndërtohen rezervarë të cilët e pengojnë vërshimin dhe sigurojnë ujë në kohë thatësirash”, nënvizoi ministri Aliu./RTK