Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se është miratuar Udhëzimi Administrativ për Kontrollin e Rregullsisë Teknike për Automjete në Rrugë.
Përmes këtij Udhëzimi, ministri Aliu ka njoftuar se tashmë do të ketë kontrolle të rregullta në rrugë për mjetet që nuk i përmbushin kriteret e kontrollimit teknik.
Aliu ka theksuar se miratimi i Udhëzimit Administrativ është rezultat i një pune të palodhur dhe intensivisht të kujdesshme.
“Pas një pune intenzive, miratuam Udhëzimin Administrativ për Kontrollin e Rregullsisë Teknike për Automjete në Rrugë. Tashmë ekipet mobile të angazhuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, do të jenë vazhdimisht në terren për kontrolla rutinore në komunikacion, për të eliminuar pjesëmarrjen e mjeteve motorike me defekte, përgjithësisht mjeteve motorike të cilët nuk i përmbushin kriteret e kontrollës teknike në komunikacion”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Po ashtu, ai ka thënë se Udhëzimi Administrativ ka një rëndësi të veçantë, pasi është hartuar duke marrë parasysh praktikat më të mira të rajonit dhe Bashkimit Evropian.
Sipas Aliut, kjo masë do të kontribuojë në përmirësimin e qarkullimit rrugor, shkarkimin e komunikacionit, sigurinë në trafik dhe në mbrojtjen e ajrit dhe mjedisit.