Ministria është duke bërë Hartat e Rrezikshmërisë nga Përmbytjet dhe hartimin e Planeve për Menaxhimin e Rrezikut nga Përmbytjet dhe Thatësirat.
Kjo në mënyrë që në situata të tilla “të jemi shumë më të përgatitur, dhe të përmirësojmë kapacitetet parandaluese dhe reaguese për situata të ngjashme”.
Kështu ka thënë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, pas reshjeve të pa ndërprera dhe vërshimeve eventuale.
“Zyrtarë nga kjo ministri kanë dal në terren për të parë nga afër gjendjen e krijuar, me ç’rast janë vizituar rrjedhjet lumore në komunën e Rahovecit, dhe sipas analizës në terren, rezultateve nga stacionet hidrometeorologjike, inçizimeve dhe matjeve, gjendja e rrezikshmërisë nga vërshimet në këtë zonë nuk është alarmante”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Ndërkaq, të hënën e 21 nëntorit Aliu ka theksuar se është planifikuar që të vizitohet komuna e Pejës, Mitrovicës e Istogut.
“Jemi të angazhuar që të marrim masa konkrete përmes investimeve në infrastrukturë, që të jemi më të gatshëm për të përballuar përmbytjet që me siguri do të vijnë edhe në të ardhmen”.
“Ekipet kompetente të menaxhimit të emergjencave në bashkëpunim me komunat, që nga orët e hershme të mëngjesit do të jenë në terren për të reaguar për çdo rast të evidentuar”, shtoi ai.