Njohësi i çështjeve financiare, Florin Aliu, ka shprehur shqetësimin e tij për nivelin e zhvillimit ekonomik në Kosovë dhe mungesën e reformave të nevojshme nga Qeveria, për të adresuar problemet kryesore.
Aliu, në emisionin “Rreth e Rrotull”, ka theksuar se edhe pse Kosova ka shënuar një rritje ekonomike, tempoja e kësaj rritjeje është në rënie në 3 për qind.
Ai ka thënë se për të parë një ulje të ndjeshme të papunësisë, rritja ekonomike duhet të arrijë nivele prej shtatë deri në tetë për qind, për një periudhë pesë-gjashtë vjeçare.
“Ne kemi rritje, por tempo i rritjeve është rënë në 3 për qind rritje ekonomike. Të gjitha reformat që një qeveri i merr, të gjitha ndryshimet radikale, investimet kapitale, rritje pagash, çdo ndryshim që ndodh brenda ekonomisë tonë, reflektohet në rritjen ekonomike. Ka studime të mjaftueshme, që tregon se rritja ekonomike që nuk është rast vetëm i Kosovës, por e përfshin edhe Kosovën, rritja ekonomike nuk e ul papunësinë në Kosovë. Rritja ekonomike në Kosovë duhet me qenë shtatë – tetë për qind edhe për një periudhë pesë – gjashtë- vjeçare, për me pa ulje të ndjeshme të papunësisë. Arsyet pse rritja ekonomike 3-4 për qind nuk lë shenjë në ulje të papunësisë. Ato mënyrën qysh kalkulohen janë gjëra tjera, por nuk gjeneron ulje të papunësisë”, ka deklaruar ai.
Aliu, mes të tjerash, ka deklaruar se reforma e vetme e Qeverisë është Ligji për Fondin Sovran, që, sipas tij, nuk është një reformë zhvillimore.
“Reformat që kjo qeveri ka marrë, unë nuk e di për ndonjë, një reformë serioze që është marrë, përveç ajo që lidhet me Fondin Sovran. Nëse ndalemi dhe e diskutojmë këtë reformë, sepse është e vetmja që është performuar, unë mendoj që kjo nuk është një reformë zhvillimore”, ka deklaruar Aliu.
Intervistën e plotë e gjeni në linkun e mëposhtëm: