Ambasada e Francës në Kosovë ka sqaruar deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron, në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në një përgjigje për Dukagjinin, thuhet se Macron e ka vënë theksin te pritshmëritë nga palët të jenë përgjegjëse për veprimet e tyre.
Po ashtu, nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është kërkuar t’i dënojë sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Gjatë konferencës për medie me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb, Vuçiq : të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”, thuhet në përgjigje.
“Ne dëshirojmë që të ndriçohet në tërësi sulmi i 24 shtatorit dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë”, vijon përgjigja.
Tutje sqarohet se Macron nuk e ka përmendur anulimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, ta respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thuhet në përgjigje.
Sipas Ambasadës franceze, nga Macron, Kosovës i është kërkuar angazhimi për ripërsëritjen e zgjedhjeve në komunat e veriut.
“Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare”, thuhet në përgjigje.