Ambasada franceze në Kosovë ka shprehur shqetësim për mbylljen e strukturave paralele serbe në disa komuna të Kosovës.
Nga ana e tyre, thuhet se edhe pse këto struktura nuk janë të licencuara nga autoritetet kosovare, ato ofrojnë shërbime të rëndësishme për serbët e Kosovës dhe mbyllja e tyre mund të ndikojë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Ambasada franceze ka theksuar angazhimin e saj për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, por thekson se çështja e këtyre strukturave paralele duhet të zgjidhet brenda kuadrit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Mbyllja e tyre mund të ketë ndikim në jetët e përditshme të qytetarëve. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, rikujtojmë se kjo çështje e strukturave ‘paralele’ duhet të adresohet brenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim, të publikuar në platformën X.
Në reagim u përmend edhe mundësia për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një hap që sipas tyre, mund të sigurojë vazhdimin e shërbimeve për serbët e Kosovës duke ruajtur kornizën kushtetuese të Kosovës.
Ambasada gjithashtu shpreh keqardhje që këto mbyllje po ndodhin gjatë fushatës zgjedhore, duke i dhënë ngarkesë shtesë situatës politike.