Dështimi i procesit të votimit në katër komunat veriore për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë ka ngjallur menjëherë reagimin e atyre që besuan në këtë proces.
Ambasadorë të akredituar në Kosovë kanë shprehur keqardhje për këtë bojkot të serbëve, por kanë shprehur mirënjohjen për përpjekjen e institucioneve të Kosovës që ky proces të shkojë sipas planifikimit.
Ambasada amerikane në një përgjigje për Dukagjinin tha se kryetarët shqiptarë në veri, ashtu siç janë zgjedhur, edhe do të qëndrojnë në pozitat e tyre për të vazhduar mandatet.
“Shprehim keqardhje që nuk morën pjesë dhe rrjedhimisht nuk përdorën në mënyrë të plotë mjetet demokratike që i kishin në dispozicion, sipas ligjeve të Kosovës për të rritur demokracinë efektive dhe përfaqësuese. Ne kemi kuptuar nga ekipet ndërkombëtare të vëzhgimit se ka pasur pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve. Prandaj nuk ka asnjë vendim nga votuesit për të tërhequr kryetarët e komunave. Kryetarët e komunave në vend u zgjodhën dhe mbeten në pozitë, sipas kornizës ligjore të Kosovës,” ka thënë Ambasada amerikane për TV Dukagjinin.
Rolin e qeverisë së Kosovës në këtë proces e ka vlerësuar edhe Ambasada gjermane përderisa bojkotin e ka quajtur shkatërrues.
“Qeveria kosovare ka bërë pjesën e saj, duke paraqitur një proces që mund të kishte çuar në më shumë përfaqësim nëse do të përdorej nga votuesit. Bojkoti i kërkuar nga aktorët politikë si Lista Srpska është, siç e kam thënë më parë, për keqardhje dhe shkatërrues kur bëhet fjalë për kulturën demokratike, zgjidhjen e problemeve dhe kujdesin për jetën e përditshme aktuale të qytetarëve. E thënë troç: ata që bënë thirrje për bojkot morën pikërisht atë që kërkuan, ” Jorn Rogde, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.
Se kryetarët shqiptarë në veri janë legjitim e kanë thënë edhe nga Ambasadën Britanike në Kosovë.
“Na vjen keq për vendimin e Listës Srpska dhe një numri politikanësh të pavarur serbë të Kosovës për të bojkotuar votimin e djeshëm për tërheqjen e kryetarëve të komunave. Bojkoti është një pengesë për demokracinë përfaqësuese. Megjithatë, votat u zhvilluan në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me ligjin. Rezultatet nënkuptojnë se katër kryetarët e komunave do të vazhdojnë t’i shërbejnë mandatet e tyre dhe ne i nxisim ata të kryejnë detyrat e tyre duke pasur parasysh nevojat dhe interesat e komuniteteve të komuanave,” u tha nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.
Procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve ka dështuar të dielën e 21 prillit, kur nuk u arrit dalja e votuesve 50% plus 1 votues, sa llogaritet që të merret një vendim pro apo kundër shkarkimit.