Ambasada gjermane në Prishtinë ka thënë se “nuk kemi bojkotuar” pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenca dhe Kryeministria për Ditën e Çlirimit më 12 qershor.
Më 12 qershor, ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Franca dhe Britania e Madhe) nuk janë parë në ngjarjen e organizuar nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, për shënimin e 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Kurse mediat në Kosovë kanë raportuar se ambasadorët e shteteve të QUINT-it e kanë bojkotuar këtë ngjarje.
“Ambasada gjermane ka pranuar ftesë për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe zyrtarisht në të është përfaqësuar nga zëvendëskreu i misionit, siç ka ndodhur në shumë raste”, thanë për REL-in nga Ambasada gjermane në Prishtinë.
Megjithatë, kjo ambasadë nuk ka pranuar të japë detaje se pse ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, nuk mori pjesë në pritjen zyrtare.
Kjo mosmarrje pjesë e ambasadorëve të shteteve të QUINT-it në këtë ngjarje, vjen në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po i kërkon Qeverisë së Kosovës të qetësojë situatën në veriun e banuar me shumicë serbe. Deri më tani, ekzekutivi në Kosovë nuk i ka plotësuar kërkesat e partnerëve të tij ndërkombëtarë.
Atje, që nga 26 maji, tensionet janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri hynë në ndërtesat komunale, nën përcjelljen e policisë, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.
Që nga 29 maji, serbët lokalë po protestojnë vazhdimisht në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian i kanë paraqitur tri kërkesa kryeministrit Kurti: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Kryeministri Kurti, të martën, më 13 qershor, gjatë një konference për media ka dhënë detaje për propozimin e tij pesëpikësh për daljen nga situata e tensionuar në veri.
Këto pesë pika, ai ka thënë se ua ka propozuar ambasadorëve të shteteve të QUINT-it, ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier dhe emisarëve Mirosllav Lajçak dhe Josep Borrell:
Lexo edhe: Kurti jep detaje për 5 pikat të cilat ua propozoi ndërkombëtarëve për situatën në veri
Për t’i lexuar pesë pikat e propozuara nga Kurti kliko këtu.