Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se është në dijeni të arrestimit të drejtorit të VisaMetric, dhe se me vëmendje janë duke e ndjekur procesin gjyqësor ndaj tij.
Drejtori i këtij institucioni ishte arrestuar për shkak se nuk e kishte respektuar vendimin gjyqësor, i cili ia ndalonte të merrte 30 euro nga qytetarët për shërbimin postar për pasaporta gjatë aplikimit për vizë në këtë Ambasadë.
Në reagimin e Ambasadës thuhet se nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, kur caktohet terminin në mënyrë elektronike.
“Personat të cilët nga data 17 maj vendosin për tërheqje personale të pasaportës, ndërsa gjatë caktimit të terminit kanë paguar shërbimin postar për kthimin e pasaportës, do të rimbursohen. Që nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, kur caktoni terminin në mënyrë elektronike. Njoftimin për këtë, VisaMetric e publikoi në mbrëmjen e datës 16 maj në faqen e saj të internetit”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje, në njoftim thuhet se Ambasada në Prishtinë dhe MPJ në Berlin e kontrollojnë rregullisht VisaMetric për aplikimin e të gjitha rregullave, ku hyn edhe vendimi për kthimin e pasaportave me postë si alternativë opcionale.
“Ambasada në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin kontrollojnë rregullisht VisaMetric për aplikimin e të gjitha rregullave përkatëse. Kjo përfshin edhe zbatimin e vendimit nga data 16.05.2023 për kthimin e pasaportave me postë si alternativë opcionale. Këto kontrolla përfshijnë vizita të lajmëruara dhe të paparalajmëruara nga stafi i Ambasadës në hapësirat e VisaMetric. Gjatë kontrollave, deri më tani, nuk ka pasur asnjëherë arsye për reklamime domethënëse”, thuhet në reagim.
Ambasada thekson se VisaMetric edhe më tej është i obliguar që menjëherë pas dërgimit t’i fshijë të gjitha të dhënat e aplikantëve dhe të sigurojë që për caktimin e terminit të ruhen vetëm emri, të dhënat e kontaktit si dhe numri i pasaportës deri në momentin kur pasaporta i kthehet aplikuesit, dhe që këto të dhëna më pas të fshihen menjëherë.
Postimi i plotë:
Ambasada është në dijeni për arrestimin e drejtorit të qendrës për pranimin e aplikacioneve për viza të VisaMetric dhe, me vëmendje po ndjek procesin gjyqësor ndaj tij.
Pasditën e datës 16 maj 2023, ambasada për herë të parë mësoi për vendimin e Gjykatës Komerciale kundër VisaMetric, në të njëjtën ditë, kur VisaMetric përmes avokatit të saj edhe pranoi vendimin e shkallës së dytë. VisaMetric, menjëherë pasi mësoi për aktgjykimin, në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin dhe Ambasadën Gjermane në Prishtinë, filloi zbatimin e tij. Pas kësaj, dhe që nga dita e nesërme, të gjithë aplikantëve u është dhënë mundësia që në momentin e parashtrimit të kërkesës të zgjedhin mes tërheqjes personale dhe kthimit të pasaportës përmes shërbimit postar me kosto shtesë, si në procedurën e deritashme. Personat të cilët nga data 17 maj vendosin për tërheqje personale të pasaportës, ndërsa gjatë caktimit të terminit kanë paguar shërbimin postar për kthimin e pasaportës, do të rimbursohen. Që nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, kur caktoni terminin në mënyrë elektronike. Njoftimin për këtë, VisaMetric e publikoi në mbrëmjen e datës 16 maj në faqën e saj të internetit.
Në kontratën e lidhur në mes VisaMetric dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, VisaMetric obligohet të respektojë përcaktimet e Ligjit Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave. Prandaj, VisaMetric duhet të operojë infrastrukturën e saj të teknologjisë së informacionit në përputhje me kërkesat e Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit për Administratën Publike, dhe mund të ruajë të dhënat personale të aplikantëve vetëm në serverë brenda Zonës Ekonomike Evropiane. Të dhënat e regjistruara alfanumerike dhe biometrike të aplikantëve i dërgohen ambasadës në formë të koduar. Këto të dhëna nuk ruhen në pajisjet e shërbyesit të jashtëm VisaMetric. VisaMetric edhe më tej është i obliguar që menjëherë pas dërgimit të fshijë të gjitha të dhënat e aplikantëve dhe të sigurojë që për caktimin e terminit të ruhen vetëm emri, të dhënat e kontaktit si dhe numri i pasaportës deri në momentin kur pasaporta i kthehet aplikuesit, dhe që këto të dhëna më pas të fshihen menjëherë. Informacione përkatëse mund të gjeni në faqën e internetit të ambasadës:
Ambasada në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin kontrollojnë rregullisht VisaMetric për aplikimin e të gjitha rregullave përkatëse. Kjo përfshinë edhe zbatimin e vendimit nga data 16.05.2023 për kthimin e pasaportave me postë si alternativë opcionale. Këto kontrolla përfshijnë vizita të lajmëruara dhe të paparalajmëruara nga stafi i ambasadës në hapësirat e VisaMetric. Gjatë kontrollave, deri më tani, nuk ka pasur asnjëherë arsye për reklamime domethënëse.
VisaMetric është një ndërmarrje e përbashkët e zotëruar 60% nga kompania turke iData dhe 40% nga kompania VMS INVESTMENTS LLC. me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Që kur VisaMetric filloi operimin në Kosovë, në shtator të vitit 2022, kompania nuk ka pasur asnjë lidhje me Rusinë.