“Pretendimi se unë kam fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë, nuk qëndron dhe është i pavërtetë”.
Kështu ka deklaruar përmes një deklarate publike Martin Berishaj, ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë i cili tash e sa kohë, ishte përfolur të ishte i përfshirë në një skemë ku paratë e dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ky i fundit, përmes deklaratës publike të cilën thotë se e bëri shkak i “informimit të saktë të opinionit publik”, ka thënë segjatë vitit 2021, ishte aksionar i “MB consulting sh.p.k”.
“Sa i përket firmës Zaslon L.C.C. dhe Myloja sh.p.k., nuk janë në pronësinë time dhe për këtë e kam njoftuar edhe Agjencionin Antikorrupsion të Republikës së Kosovës në email zyrtar me datën 5 korrik 2022. Ndërsa për dy kompanitë tjera, MB consulting d.o.o. në Mal të Zi, dhe MB consulting sh.p.k. në Kosovë, sqarimi dhe e vërteta është si vijon: MB consulting d.o.o. në Mal të Zi nuk nuk ka pasur qarkullim që nga viti 2020 dhe mbyllja e saj fizike sipas organeve të Malit të Zi, pas kërkesës sime për mbyllje, ka qenë çështje ditësh, dhe meqenëse bëhet fjalë për një kompani që nuk ka pasur aktivitet që nga vitit 2020 dhe ka qenë në proces të mbylljes, nuk ka pasur arsye të deklarohet si pronë. MB consulting d.o.o. si person juridik ka pranuar të hyra në periudhën 2017-2020, dhe të gjitha transaksionet janë bërë në mënyrë transparente përmes llogarisë bankare, dhe janë paguar të gjitha tatimet sipas legjislacionit në fuqi. Në lidhje me pretendimet e ngritura, Prokuroria atje ka zhvilluar hetimet, dhe ka mbyllur rastin sepse nuk ka gjetur asgjë nga pretendimet. Prandaj, akuza se jam nën hetime në Mal të Zi është e pavërtetë, sepse kjo është një çështje e mbyllur tashmë. Pas shpifjes që është bërë ndaj meje me datën 21 prill 2022 nga Vitomir Petroviq në Planet TV, i cili po citohet nga mediat tona, kam bërë padi në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë dhe lënda është në proces gjyqësor. Në këtë kompani, person juridik sipas legjislacionit në Kosovë, kam qenë aksionar deri me datën 13 tetor 2021, kur edhe kam bërë bartjen e të gjitha aksioneve të mia tek pala e tretë, përmes Kontratës për Dhurim. Prandaj në datën e deklarimit të pasurisë me 13 janar 2022 (tre muaj pas heqjes dorë nga pronësia), unë nuk kam qenë aksionar në këtë kompani, dhe nuk kam pasur se si ta deklaroj si pronë timen.”, ka deklaruar ai.
Gjersa ka theksuar se shpifje mbetet edhe pjesa e borxhit tatimor, Berishaj ka hedhur poshtë edhe çështjen e ndërmarrjes serbe.
“Ndërsa sa i përket deklarimit dhe pagesës së tatimeve, kompania MB consulting sh.p.k. ka deklaruar të gjitha detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi, në Adminsitratën Tatimore të Kosovës. Pagesa e një pjese të detyrimeve është bërë nga kompania që është person juridik, kurse pjesa tjetër vazhdon të paguhen nga kompania që tash është në pronësi të tjetërkujt. Kushdo që kupton nga kontabiliteti, e din që borxhi tatimor nuk ka fare të bëjë me shmangie tatimore, gjë për të cilën po shpifet kundër meje. Prandaj edhe kjo e pavërtetë bie në ujë, sepse asnjëherë nuk ka pasur shmangje tatimore, por bëhet fjalë për borxh tatimor, i cili është deklaruar nga vetë ndërmarrja, dhe vazhdon të paguhet. Dhe për fund, akuza e insinuata se gjoja kompania GEN-I qenka ndërmarrje serbe, është tërësisht e pavërtetë gjithashtu. Ndërmarrja GEN-I, trgovanje in prodaja električne energije, d.o.o. Krško, Slloveni, është kompani me të cilën kam pasur marrëdhënie kontraktuale si këshilltar në kohën kur nuk isha as shtetas i Republikës së Kosovës. Kjo kompani është kompani sllovene e cila për themelues ka kompaninë GEN ENERGIJA d.o.o. e cila është në pronësi të plotë të Republikës së Sllovenisë, dhe ka filiale nëpër shumë shtete në rajon, ngjashëm sikurse ka ta zëmë edhe NLB Banka, e cila përveç filalave në Slloveni, ka degë edhe në Prishtinë, Shkup, Beograd, etj. Prandaj pretendimi se GEN-I është kompani serbe, është gënjeshtër e pastër, që për qëllim ka mjegullimin e opinionit publik, dhe krijimin e situatave të paqena, me synimin e vetëm, sulmin dhe denigrimin e karakterit tim”, ka deklaruar ai.
Për fund, Berishaj i ka quajtur “të pabaza” dhe “tendencioze” akuzat e lartëcekura.
Ndërkaq, të hënën, ministrja Gërvalla ka thënë se lidhur me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, deri në këto momente nuk ka asnjë informacion zyrtar se Berishaj ka bërë ndonjë shkelje. Si rrjedhojë, sipas saj, ai nuk mund të shkarkohet për “spekulime mediale”.
Sipas mediave sllovene, Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku paratë e dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Berishaj në zgjedhjet e fundit në Kosovë kishte mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje, ku pas fitores së saj, ai është emëruar ambasador në Zagreb.