Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, Martin Berishaj, i cili është gjithashtu pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Kosovë-Kroaci, ka folur lidhur me akuzat e tij të ngritura së fundi, të cilat i ka quajtur shpifje.
Ndërsa, është shprehur se beson që personat të cilët, sipas tij, kanë shpifur për të do të dalin para gjyqeve.
“I ka hije të futen dhe të bëhen marrëdhënie të shkëlqyeshme nga shteti kroat dhe i Kosovës e shtetit të Sllovenisë që fusin njerëz të cilët e kanë dëshirën për të bërë emër në emër të tjetër kujt. Besoj se këta shpifësa do të dalin para gjyqeve”, ka thënë Berishaj para gazetarëve në prag të nisjes së Forumit Ekonomik.
I pyetur më tej për detajet, takimin me ministren e jashtme Donika Gërvalla e kontrollin nga Policia, Berishaj ka refuzuar të përgjigjet, duke theksuar se ka dhënë deklaratën në institucionin më të lartë të shtetit.
“Unë e kam dhënë deklaratën në institucionin më të lartë të shtetit dhe e kam dhënë deklaratën time. Unë ata që e kam thënë e kam thënë dhe e kam shkruar”, ka deklaruar Berishaj.
Ndryshe, Berishaj kishte hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij më 18 janar, duke i quajtur ato “të pabaza” dhe “tendencioze”.
Akuzat për të cilat po flitet janë raportuar nga mediat sllovene, që thuhet se Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku paratë e dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.