Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen lamtumirëse për ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, shprehu mirënjohjen e tij ndaj diplomatit Gudjev që përfaqëson Republikën e Bullgarisë.
“Gjatë viteve që kemi punuar së bashku, me përkushtimin tuaj, kemi arritur të avancojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve tona”, ka deklaruar kryeministri.
Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se gjatë mandatit të ambasadorit Gudjev, në Kosovë janë realizuar pesë vizita të zyrtarëve bullgarë, përfshirë presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev dhe janë organizuar 21 vizita të zyrtarëve të Kosovës në Bullgari, përfshirë këtu takimin e kryeministrit Kurti me kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev dhe presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.
Teksa përmendi marrëveshjet e arritura në mes të dyja vendeve, kryeministri tha se Bullgaria ka qenë avokuese për ne sa herë që e kemi kërkuar, prandaj sinqerisht falënderojmë autoritetet përkatëse për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm dhe të dëshmuar për Kosovën.
Në veçanti falënderoi ushtarët dhe oficerët bullgarë që kanë shërbyer dhe shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
“Ambasadori Gudjev po përfundon misionin e tij diplomatik, por miqtë që ai ka bërë këtu do të zgjasin përjetë. Do të na mungojë dhe jam i sigurt se do t’i mungojë edhe Kosova. Prandaj, shpresoj të jetë mysafir i rregullt në vendin tonë, të cilin mund ta konsiderojë si shtëpinë e tij të dytë. Me këtë rast, më duhet të falënderoj jo vetëm Shkëlqesinë e Tij për gjithçka që ka bërë, por nëpërmjet tij, vendin që ai përfaqësoi në mënyrë të admirueshme në Kosovë”, tha në fjalën e tij kryeministri Kurti.