Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka reaguar lidhur me zgjedhjet e mbajtura të dielën e 23 prillit në katër komunat veriore.
Me anë të një postimi në Twitter, Guerot thotë se zgjedhjet me kaq pak votues nuk kontribuojnë në një zgjidhje politike.
Ai ka shtuar se tani është koha për të zbatuar ujdinë që është arritur në Ohër.
“Zgjedhjet me kaq pak votues nuk kontribuojnë në një zgjidhje politike. Na vjen keq që disa parti nuk morën pjesë. Tani është koha për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar Guerot.
The elections with so few voters don’t contribute to a political solution. We regret that some parties did not participate. On a positive note : the professionalism of KPolice 🇽🇰 +Kfor/Eulex. It is now time to implement the Ohrid agreement.
— Ambassadeur Olivier Guerot (@Olivier_Guerot) April 23, 2023
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Zveçan dhe Zubin Potok.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Ai la pas kundërkandidatin e tij nga PDK-ja, Taulant Kelmendin, me 186 vota.
Sipas rezultateve preliminare, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 73.5 për qind të votave në Leposaviq, apo 100 vota gjithsej. Kurse kundërkandidatët e tij, Albulena Behluli-Hetemi nga PDK-ja, arriti t’i grumbullojë vetëm 34 vota.
Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota duke lënë pas kandidatin nga LVV-ja, Flatron Hasanin, me 180 vota apo 47.9 për qind.
Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota, duke lënë pas kandidatin nga LVV-ja, Fetah Pecin, me gjithsej 71 vota.
Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.
Në këto zgjedhje votuan 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues.
Rezultatet preliminare të KQZ-së, LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna