Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka shkruar në Twitter se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, kjo do të ishte përgjigja më e mirë dhënë Rusisë, e cila po mundohet ta destabilizojë gjendjen në rajon.
“Me të vërtetë! Përgjigja më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të hapura të Rusisë për destabilizim në rajon është integrimi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane”, ka shkruar ai në Twitter.
Deklaratë të ngjashme kishte dhënë një ditë më parë, ndihmëssekretarja amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karin Donfried.
Gjatë vizitës në Kosovë, ajo kishte theksuar nevojën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është mënyra e duhur për ta kundërshtuar përpjekjen e Rusisë për një destabilizim eventual të rajonit.
“Mënyra më e mirë për të kundërshtuar përpjekjet flagrante të Kremlinit për të destabilizuar rajonin është e thjeshtë: Kosova dhe Serbia duhet të bashkohen dhe të riangazhohen urgjentisht në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së”, ka thënë ajo.
Të hënën Donfried kishte deklaruar se “status quoja”, është e paqëndrueshme, kështu duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që përmes dialogut t’i zgjidhin problemet.