Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe ai i Francës, Olivier Guerot e kanë mohuar se është diskutuar për suspendimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, si njëra ndër masat ndëshkuese.
Në një intervistë për Klan Kosovën, ata thanë se përkundër kësaj, Kosova ka humbur shumë për shkak të masave të Bashkimit Evropian.
Ambasadori Guerrot, e përmendi anulimin e grantit të BE-së, për ndërtimin e një impianti për ujërat e zeza për Prishtinën dhe disa komuan përreth. Ai tha se mezi pret të vazhdohen këto projekte të cilat janë tejet të dobishme për qytetarët.
“Prolongimi i këtyre masave negative shkakton humbje të mundësive, gjëra që mund të kishin ndodhur por që nuk do të ndodhin, apo që do të ndodhin më vonë. Më lejoni të ju jap një shembull, një shembull të rëndësishëm në fakt. Më 29 qershor supozohej të aprovohej një grant nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar në financimin e një projekti të zhvilluar nga Franca për ndërtimin e një impianti për ujërat e zeza për Prishtinën dhe komunat përreth dhe këtu kishte edhe një komponentë gjermane, sepse Gjermania do t’i ndërtonte gypat që do ta dërgonin ujin në këtë impiant”, ka thënë ai.
“Kjo nuk është duke u diskutuar, pra granti nuk është aprovuar dhe më vjen shumë keq, sepse shumë punë është bërë për këtë projekt nga ne, Franca bashkë me qeverinë aktuale të Kosovës, gjithashtu me qeveritë e kaluara për qytetarët e Kosovës, mezi po pres momentin kur mund t’i vazhdojmë këto projekte, por derisa ditët, javët dhe muajt kalojnë realizimi i këtij projekti shumë konkret që do të kishte pasur ndikim pozitiv në kualitetin e jetës së qytetarëve, në kualitetin e ambientit, ky projekt është shtyrë dhe më vjen shumë keq për këtë”, ka vijuar ai.
BE ka vendosur disa masa ndëshkuese për Kosovën, për shkak të veprimeve të Qeverisë së Kosovës, në veri të vendit, pa u koordinuar me ta.