Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se nuk e ka pritur që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të befasohet me qëndrimin e Gjermanisë dhe as të Francës – shtete të cilat thonë se Kosova duhet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Rohde ka thënë se Kurti ka qenë në dijeni që për Gjermaninë dhe Francën dërgimi i drafitit të Asociacionit në Kushtetuese është hapi i vetëm për të siguruar shumicën e votave të nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
“Edhe unë jam i befasuar që ai u befasua. Sepse kryeministri Kurti ka folur me presidentin francez Macron, ai foli me kancelarin tim, ai takoi ministrin tim të Jashtëm dhjetë ditë më parë në Berlin, dhe ne kishim të njëjtin mesazh për të: Bëj diçka në Asociacion dhe kjo ndihmon për të siguruar një shumicë”, ka thënë Rohde në një intervistë për KALLXO.com.
Ndër të tjerash, ai ka shtuar që dërgimi i draftit në Kushtetuese është mënyra e vetme, duke shpresuar që kryeministri Kurti të ndërrojë mendje para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, që pritet të mbahet më 16 ose 17 maj 2024.
“E para, a do të votohet? Sepse ne kemi thënë dhe kemi shprehur mendimin tonë se një votim i dështuar do të ishte fatkeqësi. Kosova ka një shans unik për t’u anëtarësuar së shpejti. Dhe ajo që do të donim është që Kosova të marrë vendimin e duhur, kështu që unë do të preferoja të mos kisha një vendim tani, nëse Kosova nuk po bën hapin e pritur që presim prej tyre”, ka shtuar tutje ambasadori gjerman, kur u pyet nëse Kosova hyn në agjendën e Komitetit të ministrave, a do ta marrë votën e Gjermanisë.
Sipas tij, dërgimi i draftit në Kushtetuese është shumë i rëndësishëm dhe se për të siguruar 31 votat e ministrave të Jashtëm, apo ⅔ të votave, “ju duhet të keni vërtet të gjitha shtetet anëtare pas jush dhe kjo nuk është ende e sigurt”.